Mes zonave të vëna nën pushtetin e ujit ishte edhe Darzeza. Fshati që rrënjët i ka tej, larg Fierit, nën ujin e një hidrocentrali.

Historia e gjeti sërish, mëse 30 vite më pas, duke vënë banorët ballë një sprove të rëndë. Por çfarë ndodhi në Darzezë, si e përballuan banorët, dëmet, problemet e gjithçka tjetër. Si ishin ditët që izoluan fshatin, që rrënjët i ka nën ujë. Ky është një udhëtim pas, që rikujton pa doreza katastrofën dhe tragjeditë njerëzore, që vazhdojnë ende në këtë fshat.

“Këto janë tokat mes Darzezës dhe Hoxharës. Këtu, katastrofa paraqitet me fytyrën e saj më tragjike. Shtëpi të shumta janë nën ujë, ashtu si stanet, ku shumë njerëz përpiqen ende të shpëtojnë ç’të munden”.

Pikërisht në këtë fushë mes dy fshatrave ndodhet numri më i madh i staneve, të cilat janë tërësisht nën ujë. Stane me bagëti të fshatit, apo me tufa shtegtare më së shumti nga Skrapari, Tepelena por edhe Kukësi.

“Nuk e dimë se çfarë po bëhet e çfarë do të ndodhë, por edhe kur do të përfundojë kjo situatë. Mua nuk më besohej ndonjëherë, që të kaloja me gomone në këtë pjesë toke këtu, sepse është toka më e ngritur në të gjithë zonën”, thotë Beqar Sopi.

“Dëm shumë i madh, ju e patë vetë. Nga qingjat nuk ka shpëtuar asnjë, ndërsa dele të mëdhaja kanë mbijetuar, sepse kanë hipur mbi të ngordhurat. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të shpëtuar pothuajse 1/3-tën e mallit”, thotë Fatjon Hoxha.

“Me këtë gomonen, falë një shokut tonë, kemi mundur të vijmë këtu për t’u hedhur ushqim dhe për t’u shtruar bar, për të ndenjur sa më mirë”, shton më tej Fatjoni.

Sipas banorëve, në masën 90 përqind uji ka ardhur si pasojë e daljes së Vjoses, që ka derdhur si kurrë më parë fuqinë e saj në këtë zonë, duke kaluar lehtësisht argjinaturën, ku investimet s’kanë qenë kurrë serioze. Për të mos thënë që kanë munguar tërësisht. Kudo, dëmet janë të pallogaritshme, sidomos në bagëti.

“Ky është kompleksi, ku janë mbytur mbi 100 krerë bagëti. Kisha edhe një nga Tepelena, që e kisha strehuar aty me mbi 400 krerë, edhe atij iu mbytën mbi 100. 350 pula të ngordhura dhe ullinj të zhytur në ujë. Edhe tani nuk kalohet dot aty nga uji. Edhe ura që është më poshtë është prishur, nuk kemi nga të kalojmë”, thotë Myseret Hoxha.

Ka shumë stane të tjera, të cilat janë vështirë të arritshme, e ku të zotët po përpiqen të bëjnë gjithçka, duke rrezikuar edhe jetën, në betejën me ujin.

Edhe pse në funksion, dy hidrovorët janë të pafuqishëm për të tërhequr sasinë e jashtëzakonshme të ujit. Ndërkohë në krah, Darzeza duket e vrenjtur. Një masë e madhe e fshatit, me mëse 400 familje, ndodhet gjithashtu nën ujë.

“Kur erdhën rreth 30 vjet më parë nga Darzeza e Gramshit, për shkak të përmbytjes së tokave të tyre nga hidrocentrali i Banjës, banorët e këtushëm vështirë ta kishin menduar se do t’i shpëtonin një përmbytjeje, për të gjetur një përmbytje tjetër në Darzezën e re”.

“Janë prishur të gjitha mobiljet dhe elektroshtëpiaket, siç e shikoni vetë. Në këtë gjendje të mjeruar jemi”, thotë Shqipe Hasko.

“Po vuajmë, ushqim jo, gjë tjetër jo, vuajmë si mos më keq. S’kemi çfarë të bëjmë, njeri tjetër s’kemi. Dy pleq këtu të sëmurë, për çfarë të vijmë përqark. Siç e shikoni vetë thjesht duam ndihmë”, thotë Behije Tafa.

Banesa të shumta ndodhen nën ujë, ndërsa shumë familje janë strehuar te njëra-tjetra. Mes tyre, edhe bagëti, që nuk kanë mundur deri më tani t’i çojnë tjetërkund.

“Nuk di çfarë të flas, këtu ju e shikoni vetë. Jemi nën ujë, bagëtitë kanë ngordhur nga përmbytja, ushqime s’ka. Mirë që disa i siguruam dhe i nxorrëm nga uji me sakrifica, por tani nuk kemi me çfarë t’i ushqejmë”, thotë një tjetër banore e zonës.

“Shpëtuam nga një përmbytje dhe gjasme për më mirë na futën këtu, ku u përmbytëm përsëri”, tha një tjetër banor.

“Na janë mbytur 65 krerë nga uji, ndërsa kemi edhe 10 kuaj në mes të liqenit sepse këtu nuk mund të rrijnë. I kemi nxjerrë me gomone duke paguar me forcat tona rreth 200 mijë lekë (të reja) për transportin. Kemi punuar për rreth 24 orë të gjithë, situata është shumë e vështirë, por të paktën kërkojmë ndihmë për bazën ushqimore, sepse është më kryesorja për gjënë e gjallë”, tha Ahmet Terpollari.

Rebelimi i motit dhe përmbytjet kanë nxjerrë mbi ujë probleme të krijuara e të mbartura vitesh, në gjithë këtë zonë. Probleme që do të kërkojnë në ditët pas stuhisë, analiza e projekte të vërteta zhvillimi. Të japësh gjykime për këtë situatë është e lehtë, por ajo çka banorët kërkojnë sot është mbështetje e përkrahje. Sigurisht – siç thonë – pa ngjyrime, sepse ato nuk u shërbejnë në këtë moment, kur u duhet vetëm ndihma e vërtetë e asgjë tjetër.

Top Channel