Faturat abuzive të energjisë, PD: Qeveria të falë edhe kamatëvonesat. Çela: Qeveria e djathtë s’e zbatoi vendimin e 2010-s

09/02/2015 00:00

Partia Demokratike riktheu në vëmendje kërkesën e saj të dy muajve më parë, për faljen e kamatëvonesave për faturat abuzive të energjisë elektrike.

Duke iu referuar lajmërimit të kryeministrit Edi Rama, për fshirjen nga sistemi të 54 mijë faturave me probleme, nënkryetari demokrat Edmond Spaho tha se ky është një vendim i hershëm i Entit Rregullator, që po zbatohet shumë vonë nga Qeveria dhe që nuk jep zgjidhje të vërtetë.

“Sot që Edi Rama pranoi më në fund të njihte vendimet e ERE-s, pyetja që qytetarët kanë është: Çdo të bëhet me mijëra abonentë me të cilët është abuzuar, që kanë paguar ndërkohë haraçin e rëndë qeveritar? Ata janë sot në të drejtën e tyre të kërkojnë paratë, mundin e djersën. Partia Demokratike kërkon faljen e menjëhershme të të gjitha kamatëvonesave; uljen e çmimit të energjisë sipas premtimit të Edi Ramës, me reduktimin e TVSH-së me 14%; si dhe shqyrtimin e shpejtë të ankesave të qytetarëve, bazuar mbi faktet e tyre por dhe mbi premtimet e Ramës. Ne nuk do të bëjmë sehir, nuk do presim deri sa Edi Rama të kujtohet, pasi i ka bërë zullumet. Do ta kërkojmë me vendosmëri, bashkë me shqiptarët, masivisht e të bashkuar, edhe më shumë se më 22 nëntor”, u shpreh Edmond Spaho.

“PD kur ishte në pushtet nuk veproi”
Çela: Enti e mori vendimin në 2010-n, por Qeveria nuk e zbatoi

“Në vitin 2010, kur Enti Rregullator i Energjisë mori vendimin për anulimin e këtyre detyrimeve të padrejta për rreth 54 mijë konsumatorë, këta zotërinj ishin në pushtet dhe nuk lëvizën as majën e thoit, për të vendosur drejtësinë në vend. Sot ankohen përse Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike çliroi abonentët e vetë nga ngarkesat financiare të padrejta. Sa për faturat e anuluara për 53 mijë e 900 konsumatorë, bëj me dije se deri më sot kompania nuk ka arkëtuar asnjë detyrim nga kjo lloj kategorie”, reagoi administratori i OSHEE-së, Ardian Çela.

Top Channel