“Strazimiri”, deputetët refuzojnë të dëshmojnë në gjykatë

09/02/2015 00:00

Dy deputetët socialistë, Armando Prenga dhe Parid Cara, e refuzuan sërish ftesën e Gjykatës së Lartë për të dëshmuar në gjyqin e hapur ndaj kolegëve të tyre Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, nën akuzë për dhunë për shkak të detyrës ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri.

Në këto kushte, prokuroria kërkoi shoqërimin e detyrueshëm të tyre, një kërkesë e cila u zbut nga Gjykata e Lartë me dërgimin e ftesës së radhës për më 23 shkurt.

I shoqëruar edhe nga deputetë të tjerë demokratë që po monitorojnë gjyqin, Eduart Halimi shfaqi shqetësim për zvarritjen e procesit.

“Zvarritja po vjen nga mungesa e qëllimshme e disa deputetëve që janë thirrur nga gjykata dhe sot, me të drejtë, prokuroria kërkoi shoqërimin e tyre të detyrueshëm”, deklaroi Halimi.

Në proces mungonin dy deputetët e PS nën akuzë, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, por ata përfaqësoheshin nga avokatët e tyre. I pari që dëshmoi ishte gardisti Eugen Hasanbelliu, i cili pohoi se nuk e kishte parë konfliktin por kishte firmosur çfarë i kishin thënë kolegët e tij.

Ndërkohë që deputetja Klodiana Spahiu rrëfeu se fillimisht i ishte dukur se Ndoka dhe Strazimiri po takoheshin miqësisht, por më pas kishte parë se në fakt deputeti e kishte goditur.

Top Channel