E përplas treni, vdes një shqiptar në Kosovë

09/02/2015 00:00

Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar rëndë si pasojë e një aksidenti të rëndë komunikacioni, kur treni i linjës Fushë Kosovë-Pejë goditi një makinë e cila ishte duke kaluar në binarët hekurudhorë. Mësohet se viktima dhe të plagosurit janë shtetas të Shqipërisë.

Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës, rreth orës 18;25. SIpas zëdhënësit të policisë së Kosovës, Daut Hoxha tha nëpërmjet telefonit se në kamionçinën me ngjyrë të kuqe të goditur nga treni gjendeshin tre persona meshkuj.

Dy nga ta kanë pësuar lëndime të rënda trupore ndërsa i treti ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes. Konfirmimi është bërë nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Të lënduarit fillimisht janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Pejës, pastaj njëri prej tyre është tranpsortuar urgjentisht në QKUK. Policia nuk bën të ditur identitetin e tre shtetasve shqiptarë që pësuan aksidentin.

Top Channel