Smajli, i goditur në stadiumin e Laçit: Dhuna është bërë pjesë e futbollit

10/02/2015 00:00

Rrallë herë kalon një fundjavë e qetë në Kategorinë Superiore, pa ngjarje që tejkalojnë sportin dhe normalitetin.

Këtë herë në ndeshjen më të nxehtë të fundjavës, atë mes Laçit dhe Kukësit, është tifozëria vendase ajo që zbeh fitoren, deri diku të merituar të laçianëve, për herë të parë përballë Kukësit në kampionat.

Mbrojtësi i skuadrës verilindore, Dritan Smajli, u godit nga një flakadanë në pjesën e parë dhe më pas u zëvendësua e u dërgua në spital për kontrolle të mëtejshme.

Nisur nga gjendja e tij, të paktën në dukje më e mirë se ajo pas ndeshjes, Smajli në një intervistë për Top Channel sqaron se situata shëndetësore është në përmirësim, ndërkohë që ajo psikologjike mbetet e rënduar, pasi futbolli pa dhunën në disa fusha nuk po arrihet të konceptohet.

“Mendoj se Federata njëherë e përgjithmonë duhet të vërë gishtin te fajtorët dhe të marrë masa drastike. Dua t’i rikthehem një rasti kur është goditur profesor Besnik Çela në Ballsh. A nuk është njësoj si kur goditet një zyrtar i Federatës, edhe kur goditet një futbollist i çfarëdo ekipi? Unë nuk jam për atë që hajde të marrim 3 pikët dhe gjithçka zgjidhet, dhe ne jemi të qetë sepse rimarrim vendin e parë, jo. Dua që përveç tre pikëve të marra prej nesh, edhe Laçi të marrë një dënim drastik, që të mos ndodhin më të tilla gjëra”, shprehet Dritan Smajli, futbollist i Kukësit.

Ndërkohë që skuadra e tij, Kukësi, kërkon pikët në tavolinë për këtë ngjarje, janë komisionet e Disiplinës së Federatës, ato që do të vendosin. Por gjithsesi një 3-pikësh më tepër, apo më pak, nuk vlen përpara këtij imazhi, që përcjell herë pas here futbolli ynë.

Top Channel