Moggi në “Procesin Sportiv”, libri, Calciopoli, futbolli shqiptar…

10/02/2015 00:00

I ftuar special në “Procesit Sportiv” ishte ish-drejtori sportiv i Juventusit, Luciano Moggi. Ai foli për librin e tij “Topi është imi”, i cili është botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “Saras”, për skandalin e Calciopoli-t, futbollin shqiptar dhe çështje të tjera.

Luciano Moggi ka vlerësuar atmosferën në Shqipëria, teksa ka shtuar se gjithçka në prezantimin e librit ishte perfekte.

“E njoh Shqipërinë, është hera e dytë që vij. Mjedisi në Shqipëri është shumë i mirë. Pak orë më parë ne kemi prezantuar librit dhe shkoi shumë mirë. Ishte një organizim juventin i klasit të parë. Njerëzit kanë duartrokitur vazhdimisht dhe kjo do të thotë që diçka të mirë e kam thënë”

Besnik Myftari, drejtor i Shtëpisë Botuese “Saras” dhe i “Gazetës Shqip” shpjegoi se si kishte lindur ideja për ta botuar librin në Shqipëri. Ai tha se kishte qenë një propozim i një italiani, mik i përbashkët i tij dhe Luciano Moggi-t.

“Duke qenë se jam një tifoz i Juventusit, propozimi që mu bë ishte si një dhurat për mua, duke e botuar këtë libër për popullin shqiptar. Gjeta edhe gadishmërnë e drejtorit, si edhe mbështetja e Mustafa Nanos, i cili është përkthyesi, bënë që libri të përfundonte brenda dy muajve nga momenti që ne vendosëm ta sillnim në shqip”, tha Myftari.

Duke bërë një prezantim të shkurtër të librit “Topi është imi”, Moggi ka thënë se aty ka episode të rëndësishme, të cilat mund të jenë interesante nga tifozët e futbollit dhe në veçanti të Juventusit dhe të Napolit.

“Bëhet fjalë për një karrierë me episode që përfaqësojnë pika të rëndësishme për Napolin, për Juventusin, për skuadra që në thelb janë më të mira në Itali. Mendoj që është diçka interesante si për tifozet ashtu edhe për tifozët e Juventusit. Besoj që për ata është e rëndësishme që të dinë fakte, të cilat i kanë dëgjuar, por aty i shikojnë nga dikush që i ka jetuar. Unë jam përpjekur që të nxjerr në dritë atë që ndodh në dhomat e zhveshjes, në lidhje me polemikat dhe procesin.  Të gjithë kanë thënë se kampionati ishte i rregullt, që shorteu ishte i rregullt. Atëherë ne bëjmë pyetjen, për çfarë arsyeje na dënuan? Në Itali janë dy lojtarë që e kanë pohuar me gojën e tyre që kanë trukuar, ndërsa vazhdojnë të luajnë. Kjo është diçka e çuditshme”, tha Moggi.

Titullin e librit “Topi është imi”, Ish-drejtori sportiv i Juventusit e ka shpjeguar: Titulli i librit ka lidhje me një intervistë që unë kam bërë para një ndeshje, Roma-Juventus. Përpara fillimit të ndeshjes lindën polemika dhe unë ndërhyra duke thënë, – tani qetësohuni të gjithë. Unë sjell topin dhe ju sillni arbitrin”, tha Moggi, ndërsa pak më parë i ishte bërë, në formë shakaje, një pyetje nga Gëzim Sinemati, nëse ai kishte dashur të thoshte me titullin, “topi është i imi dhe penalltinë e gjuaj unë”.

A e dëmtoi Calciopoli futbollin italian?

Nëse nuk do të kishte ndodhur Calciopoli, Italia do të ishte në nivelet më të larta të futbollit botërorë, kështu është shprehur Moggi, teksa ka folur për ndikimet e skandalit në futbollin italian.

“Le të themi që Calciopoli ka penguar futbollin italian, atë që ai bëri në 2006-ën dhe që mund të vazhdonte. Italia fitoi Kampionatin Botëror me lojtarët e Juventusit. Kjo skuadër, e cila kishte të gjithë këta lojtarë bashkë, kishte mundësi të fitonte edhe pa patur ndihma. Por edhe vdekja e avokat Agnelli-t i ndërlikoi gjërat. Ne nuk kishim më ‘as nënë dhe as baba’. Natyrisht që ishte edhe lufta për trashëgiminë e familjes. Nga frika se mos ndokush merrte pronësinë, ata vendosën të na dëbonin. E tepruan, sepse u shpëtoi gjendja nga duart. Avokati që mbronte Juventusin shkoi në Procesin Sportiv dhe na deklaroi fajtorë të gjithëve”, shprehet Moggi.

Sa i përket akuzave të ngritura ndaj tij, ish-drejtori sportiv i Juventusit tha se është fshehur gjithçka që avokatët ka nxjerrë në dritë dhe procesi ka qenë i sajuar.

“U dhanë dënime pa pasur prova. Unë jam duke e luftuar atë, por nuk po e vuaj”.

Futbooli shqiptar në ngritje. Ja lojtarët me të ardhme të sigurt

Ish-drejtori sportiv i Juventusit, Luciano Moggi, foli edhe për futbollin shqiptar, për të cilin u shpreh se vitet e fundit ka një ecuri pozitive dhe nën drejtimin e italianit De Biasi e ardhmja është sigurt. Ai ka evidentuar edhe disa nga lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares sonë.

“Futbolli shqiptar është në ngritje, këtë e ka treguar edhe kombëtarja juaj në Xhenova ndaj Italisë. Ka lojtarë shqiptarë të cilët janë integruar shumë mirë në futbollin italian dhe europian. Elseid Hysaj është një nga lojtarët që do të eci përpara dhe me Empolin ka një rendiment tepër pozitiv. Edhe Lorik Cana ka treguar që është një lojtar i rëndësishëm. Dua të vlerësoj  edhe sulmuesin Cikalleshi, i cili besoj se ka vlera për një ekip që lufton në Europa League. Nëse futbolli shqiptar vazhdon me këtë ecuri, edhe nën drejtimin e italianit De Biasi, e ardhmja është e sigurt”.

Çfarë ndodh sot me futbollin italian

Për sa i përket rënies së ndjeshme të Serisë A në vitet e fundit, Moggi është shprehur se ky fakt është i lidhur direkt me organikat e ekipeve, të cilat janë të përbëra kryesisht me lojtarë të huaj. Këtu ai përmend Milanin dhe Fiorentinën, të cilat kanë një numër të madh lojtarësh joitalianë në organikën e tyre.

“Është shumë e thjesht për të kuptuar se ku çalon futbolli në Itali. Milani luan me 10 lojtarë të huajë, nga të cilët është vetëm një i mirë. Fiorentina luan me 11 të huaj, po e njëjta gjë ndodh edhe me Interin e Napolin. Kjo sjell asgjësimin e futbollit italian, sepse mund të marrësh lojtarë italianë në vend të atyre të të huajve, por ata duhet të shkosh t’i kërkosh”, u shprehet Milani.

Si u la në stol Maradona

Moggi foli për kohën kur ai ishte te Napoli dhe në ekip ishte një prej lojtarëve më të mëdhenj në të gjithë historinë e futbollit botëror, Maradona. Ai tregoi se si e kishte lënë në stol lojtarin argjentinas, për shkak të kapriçove, pavarësisht cilësive të pamohueshme.

“Unë nuk bëj kurrë premtime kur nuk i mbaj. Bëhet fjalë për ndeshjen në Rusi. Ishin çerekfinalet e Kupës së Kampioneve dhe Maradona tha se do vinte bashkë me ne me avion. Ne u nisëm, por ai nuk erdhi. Unë shkova në shtëpinë e tij. Ai mbyllej në një dhomë dhe flinte sepse rrinte vonë natën. Unë i thash drejtuesve se nëse do të vinte nuk do të aktivizohej dhe e dija që do të vinte me avion privat. Në fakt ashtu ndodhi, ai erdhi.  Para skuadrës unë i thash atij që nëse ai ikën nga Napoli ndodh fundi i botës, nëse iki unë nuk ndodh asgjë. Ditën e ndeshjes në Moskë binte një dëborë e madhe dhe ishte shumë ftohtë. Unë i thash trajnerit se Maradona nuk do të luante dhe ai e la atë në stol. Pesë minuta nga fundi i ndeshjes, duke qenë se nuk po bënim gol, e futëm në fushë. Ai ishte një lojtar i madh por sjelljet e tij nuk ishin të një lojtari të mëdha”.

Ja si u ble Inzaghi 23 miliardë lireta dhe u shit 70 miliardë  

Luciano Moggi shpjegoi se si kishte vendosur për transferimin e Inzaghi-t në Torino, menjëherë pas shitjes së Bobo Vieri-t.

“Përpara një mbledhje të Asamblesë, avokat Agnelli më pyeti nëse Vieri ishte në shitje. Unë i thash që e kishte kërkuar Atletiko, por nuk e shisja. Në fakt, Atletiko kishte ofruar 28 milionë euro. Më pas erdhi Vieri dhe më tha se donte 5 miliardë lireta në vit, ndërsa unë e kundërshtova, por menjëherë më erdhi oferta nga Atletiko dhe e shitëm. Pasi kontaktova me avokatin, ai më tha se kisha bërë shumë mirë, por menjëherë duhet të gjeja një sulmues që shënonte shumë gola. Transferuam menjëherë Inzaghi-n për 23 miliardë lireta dhe arritën ta shisnim për 70 miliardë”.

E ardhmja e talentit francez, Pogba

I pyetur për të ardhmen e një prej lojtarëve më të mirë të Juvetusit të ditëve të sotme, Pogba, Moggi është shprehur se ai do të qëndrojë në Torino, pavarësisht ofertave të majme nga ekipe të ndryshme.  

“Pogba është një lojtar shumë i mirë dhe është vetëm 21 vjeç. Me siguri që Juventusi do ta mbajë këtë lojtar. Ndoshta do të shiten lojtarë të tjerë më pak të rëndësishëm, por jo ai. Vetëm këta lloj lojtarësh janë ata që të japin mundësinë të ecësh përpara. Unë kur kam marr Buffon-in, ai ishte një djalë i ri dhe ky të siguron të ardhmen”.

Në fund të intervistës në “Procesin Sportiv”, Moggi është pyetur në lidhje me librin e ardhshëm dhe është shprehur se në të do të flitet për përgjimet telefonike.

Top Channel