Në shtëpinë e Sokol Fekës. Familjarët, apel për kthimin e trupit të pajetë

10/02/2015 00:00

Është e vështirë të besosh se kjo është shtëpia dhe familja e një
narkotrafikanti shqiptar. Është po kaq e vështirë të besosh se kjo ka
qenë jeta e një majori të Forcave të Armatosura si 40 vjeçari Sokol
Feka, i cili u rrëzua në Malaga të Spanjës teksa pilotonte një
helikopter me gati 800 kg kanabis.

Në lagjen “Misto Mame” të Tiranës banojnë e ëma, bashkëshortja dhe vajza e Sokolit. Dyert për mortin janë të hapura, ndërsa familjarët nuk dinë ende se kur do të kthehet trupi i pajetë i tij. Pembe Feka, nëna e majorit Sokol Feka, mbahet me oksigjen për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. E mbytur në lotë, e rrethuar ngado me fotografitë e tij, ajo e ka të vështirë të tregojë momentin kur mësoi lajmin e hidhur…  Ajo nuk do ta harrojë kurrë që nuk i erdhi asnjë njoftim zyrtar mbi humbjen e djalit dhe që këtë e mësoi nga media.

“Më merr nusja në telefon dhe më thotë, mami mos e hap TV se gënjejnë aty, nuk janë të vërteta ato që thuhen. Hap televizorin kur aty thuhej: Majori Sokol Feka. Jo të vinin në shtëpi e t’ia jepnin lajmin nuses, nënës, por…”,- thotë ajo e pikëlluar.

Mbi tavolinë, dallohen arritjet profesionale të Sokol Fekës, ushtarak i vlerësuar pesë herë me dekoratë karriere dhe shërbimi. Familjarët ndjehen krenarë për to, edhe pas natës së 26 Janarit, kur dyshohet se është rrëzuar helikopteri i drejtuar nga majori shqiptar.

“Jemi të gjithë krenarë. Nuk ka bërë asgjë. E dinë vetë kush është Sokol Feka, gjithë ato merita si i hodhën poshtë kështu!”,- thotë Pembe Feka.

Pensioni për fëmijët nga martesa e parë dhe të ardhurat e pakta ekonomike kanë bërë sipas familjarëve që Sokol Feka të jetonte në kushte të vështira. Shtëpinë ai e ka pasur me qira dhe sipas bashkëshortes Eriola familjarët tanimë rrezikojnë të dalin edhe prej saj, pasi prej dy muajsh nuk e kanë paguar qiranë.

“Jemi edhe me qira për më tepër. Madje, kemi dy muaj pa e paguar atë”,- thotë Eriola, bashkëshortja e Sokol Fekës.

Familjarët kanë trokitur disa herë në dyert e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes por nuk kanë marrë përgjigje dhe bëjnë thirrrje përmes “Wake Up” që strukturat shtetërore të përpiqen për ta kthyer trupin e tij në shtëpi.

“Duam nga shteti që thjesht të na sjelli trupin e tij sepse Sokoli ishte major i tyre dhe nuk mund ta injorojnë kështu. Dekoratat ia kanë dhënë ata, nuk ia kam dhënë unë e as i ka gjetur në koshin e plehrave. Kemi shkuar në Ministri dhe përgjigja që na japin është se ai ka ikur pa leje”,- thotë Eriola.  

Hetimet vijojnë në Spanjë dhe me shumë gjasa trupi i Sokol Fekës nuk do të kthehet në Shqipëri derisa ato të mbyllen. Kjo është historia e majorit shqiptar, që nuk dihet ende cilat rrethana dhe arsye e çuan drejt trafikut të drogës.

Top Channel