Assad: Koalicioni anti-ISIS ka kontaktuar Sirinë

10/02/2015 00:00

Presidenti i Sirisë, Bashar al Assad deklaron se qeveria e tij ka marrë dhe po merr mesazhe nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA në luftën ndaj grupit xhihadist Shteti Islamik.

Assad tha në një intervistë për BBC se mes palëve nuk ka pasur kontakt direkt për bashkëpunim që nga nisja e sulmeve ajrore në shtator, por palë të treta, mes të cilëve Iraku, kanë ofruar shkëmbime informacioni.

Presidenti mohoi ndërkohë zërat se forcat qeveritare kanë hedhur bomba në mënyrë të pakontrolluar në zonat e kontrolluara nga rebelët, duke vrarë mijëra civilë.

Ai i quajti ato “lojëra fëmijësh”. “Ne kemi bomba, raketa dhe plumba, por këto që thuhen nuk i kemi bërë”, tha Assad.

Sipas të dërguarit të BBC, kjo deklaratë e presidentit bie paksa ndesh me rastet e sulmeve me bomba që sipas tij janë të dokumentuara.

Shumë vende të koalicionit të udhëhequr nga SHBA kanë mohuar bashkëpunimin me Assad, të cilit i kanë bërë thirrje që të tërhiqet që nga nisja e protestave në Siri në vitin 2011.

Por zaptimi i zonave të gjera të Sirisë dhe Irakut nga Shteti Islamik vitin e kaluar dhe krijimi i “kalifatit” ka nxitur liderët perëndimorë të shqyrtojnë bashkëpunimin me liderin sirian për të luftuar grupin.

Pavarësisht kësaj, Assad e përjashtoi mundësinë e bashkimit me koalicionin ndërkombëtar, që po përpiqet të “degradojë dhe shkatërrojë” ISIS-in.

“Jo, në asnjë mënyrë ne nuk mundemi dhe nuk do të bashkohemi me ta, për arsyen e thjeshtë se nuk mund të bëjmë aleancë me vende që mbështesin terrorizmin”, tha Assad.

Assad theksoi se nuk është kundër bashkëpunimit për të luftuar ISIS, por refuzoi të dialogojë me zyrtarët amerikanë për faktin se sipas tij, “ata nuk duan të flasin me askënd që nuk është kukulla e tyre”.

“Ata shkelin ligjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me sovranitetin tonë, ndaj nuk na flasin neve dhe ne s’u flasim atyre”, shtoi Assad.

Top Channel