Ukrainë, rebelët pretendojnë rrethimin e qytetit

10/02/2015 00:00

Rebelët pro-rusë në lindje të Ukrainës deklarojnë se kanë rrethuar qytetin Debaltseve, por qeveria ukrainase deklaron se trupat e saj ende po luftojnë për ruajtjen e kontrollit të rrugës që përdoret për furnizime.

Qyteti strategjik ka një lidhje hekurudhore kyçe dhe ka qenë në fokus të luftimeve prej më shumë se një jave. Autoritetet ukrainase deklaruan se të paktën 9 ushtarë dhe 7 civilë kishin humbur jetën në luftimet e verifikuara në këtë qytet që prej së dielës.

Rebelët deklaruan një ditë më parë se kishin bllokuar rrugën e furnizimit për në Debaltseve, që ndodhet pranë qytetit tashmë të kontrolluar tërësisht prej tyre, Donetskut.

Megjithatë, burime qeveritare ukrainase thanë për BBC se beteja është ende në vazhdim. Zëdhënësi ushtarak Olexandr Matuzyanyk tha: “Aktualisht për kontrollin e kësaj rruge po zhvillohen ende luftime”.

Mijëra trupa ukrainase mendohet se ndodhen në Debaltseve dhe rrethina, ku luftimet vazhdojnë prej mëse një jave, me rebelët që kanë fituar terren.

Më herët, presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se nuk e ka përjashtuar ende opsionin e furnizimit me armë të trupave ukrainase, gjithmonë nëse diplomacia dështon.

“Rusia ka shkelur çdo angazhim të marrë në marrëveshjen e paqes të Minskut”, deklaroi Obama pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Nga ana e saj Merkel, e cila informoi administratën amerikane mbi planin franko-gjerman të paqes, u shpreh kundër dërgimit të armëve.

Ndërsa Moska nga ana e saj vijon të hedhë poshtë akuzat se dërgon trupa dhe furnizime me armatime për të përforcuar pozitën e separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Top Channel