Sekuestrohen dokumentet e Gjikës, vartësit refuzuan hapjen e zyrës

10/02/2015 00:00

Hetimet për kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika kanë hyrë në fazën intensive. Paraditen e së martës, tre prokurorë dhe dy oficerë të policisë gjyqësore kanë qenë në zyrën e Gjikës, bëjnë të ditur burime të afërta me hetimin.

Sipas burimeve, prokurorët kanë sekuestruar të gjithë dokumentacionin zyrtar të kryebashkiakut, ndërkohë që kanë vendosur edhe masën e sekuestros për pallatin 11-katësh, për të cilin aludohet se është ndërtuar pa leje.

Shpëtim Gjika u arrestua të premten e kaluar nën akuzën e dhënies së lejeve të paligjshme të ndërtimit, në favor të biznesmenit Artur Haxhi. Bashkë me të në pranga përfundoi edhe shefja e Drejtorisë së Kontrollit të Territorit, Doriana Sulaj.

Të njëjtën ditë kryebashkiaku u shtrua në spitalin e Vlorës për shkak të problemeve me zemrën dhe hipertensionin, ndërsa një ditë më vonë, të shtunën, u dërgua për mjekim në Tiranë.

Të hënën, prokurori i Vlorës Ramadan Troçi, me një letër zyrtare i kërkoi Drejtorisë së Burgjeve sqarime për mënyrën se si i ndaluari, Shpëtim Gjika, ishte nxjerrë nga dhomat e paraburgimit dhe ishte dërguar për në spitalin jopublik në Tiranë.

E ndërsa gjykata vendosi “detyrim paraqitje” për kryebashkiakun e Vlorës, burime nga prokuroria lokale bënë të ditur se do ta apelojnë vendimin dhe do të kërkojnë masën e “ndalimit me burg” për Gjikën.

Top Channel