Prokuroria e Krimeve të Rënda, hetime për akte terroriste

10/02/2015 00:00

Prokuroria e Përgjithshme njofton se për ngjarjet e orëve të para të
mëngjesit në kryeqytet kanë nisur hetimet nga Prokuroria e Krimeve të
Rënda për “Vepra penale me qëllime terroriste”.

Prokuroria sqaron se dy shpërthimet me eksploziv dhe një tentativë e tretë për shpërthim po heton së bashku nga i njëjti grup hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se kanë lidhje me njëra-tjetrën.

“Tre ngjarje për momentin po hetohen së bashku, nën drejtimin e të njëjtit grup hetimor të Prokurorisë për Krime të Rënda. Në kuadër të këtij hetimi, po kryhen të gjithë veprimet e nevojshme proceduriale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme

Prokuroria për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka nisur hetimet për vepra penale “Vepra me qëllime terroriste”, parashikuar nga neni 230 i Kodit Penal, pas dy shpërthimeve dhe një tentative për shpërthim me lëndë eksplozive, të ndodhura mëngjesin e së Martës, dt. 10.02.2015, në disa zona të Tiranës.

Nga të dhënat paraprake, rezulton se në orën 02.5 të datës 10.02.2015 ka ndodhur një shpërthim me lëndë eksplozive në një ambjent tregtar, në pronësi të shtetasit B.T, ndodhur në rr. “Kongresi i Manastirit”.
Rreth orës 03.50, ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive në shesh-pushimin e katit të pestë të një pallati në rr. “Arben Minga” dhe janë dëmtuar banesat e shtetasit A.N, zyrtar i Policisë së Shtetit, dhe shtetasit E.F.
Po ashtu, rreth orës 06.15, nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, në një stacion autobusi në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, është zbuluar një sasi lënde eksplozive, e gatshme për të shpërthyer. Pas konstatimit të lëndës plasëse, nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit është kryer shpërthimi i kontrolluar.

Këto tre ngjarje për momentin po hetohen së bashku, nën drejtimin e të njëjtit grup hetimor të Prokurorisë për Krime të Rënda. Në kuadër të këtij hetimi, po kryhen të gjithë veprimet e nevojshme proceduriale.

Top Channel