Borë në Prishtinë, pastrohen me vonesë akset rrugore

10/02/2015 00:00

Reshjet  e dëborës, mëngjesin e së martës kanë shkaktuar probleme në qarkullim në rrugët e Prishtinës. Si pasojë e mospastrimit të rrugëve ka ndodhur një aksident zinxhir në lagjen e Spitalit, në të cilin janë përfshirë 6 makina.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka konfirmuar për Top Channel rastin. Hoxha tha se nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale.

Rreth orës 8, kur edhe ka ndodhur aksidenti, rrugët janë vlerësuar si të vëshitra për qarkullim. Hoxha tha se shkak i këtij aksidenti ishte bora dhe mosreagimi në kohë i kompanive të kontraktuara për pastrim.

Pas orës 10, gjendja e rrugëve në kryeqytet është vlerësuar e kalueshme. Ndërsa në nivel vendi mësohet se të gjitha rrugët nacionale, përfshirë edhe autostradën janë pastruar nga kompanitë e kontraktuara.

Skënder Gashi, drejtor i Drejtorisë Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës, tha për Top Channel se, sipas raportit nga të gjitha qytetet, rrugët janë të kalueshme, me përjashtim të disa rrugëve kodrinore-malore, në të cilat ka vështirësi të vogla qarkullimi.

Top Channel