Merkel në Kanada: Zgjidhje diplomatike për Ukrainën

10/02/2015 00:00

Kancelarja Angela Merkel edhe një herë përsëriti apelet për zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë, duke shfrytëzuar këtë radhë ndalesën në Otaua të Kanadasë.

Kjo vizitë ishte një tjetër rast për kancelaren gjermane që të shprehte kundërshtinë e saj ndaj armatosjes së ushtrisë së Kievit.

“Uroj që të jemi në gjendje ta zgjidhim këtë konflikt në rrugë diplomatike. Nuk besoj se mund të zgjidhet ushtarakisht”, deklaroi Merkel.

Udhëtimi i shefes së ekzekutivit gjerman në Kanada u parapri nga një përpjekje e papreçedent për gjetjen e një kompromisi, ku veç saj u përfshi dhe presidenti i Frances, Francois Hollande.

Bisedimet mes dy liderëve europianë, shefit të Kremlinit Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas Petro Poroshenko do të vazhdojnë të mërkurën në kryeqytetin e Bjellorursisë, Minsk.

“Do ta shohim gjatë ditëve në vijim nëse do të ketë ndonjë progres. Tani duhet t’i përqendrojmë të gjitha përpjekjet tona tek pyetja: a është e mundur të gjendet një zgjidhje diplomatike? I jam mirënjohëse si presidentit amerikan, ashtu edhe kryeministrit kanadez për mbështetjen e dhënë në këtë drejtim”, vijoi Merkel.

Vetë kreu i qeverisë kanadaze, Stephen Harper u shpreh në favor të një zgjidhjeje të tille, por vuri në pikëpyetje gadishmërinë e Rusisë.

“Do të doja të shihja edhe nga presidenti rus të njëjtin përkushtim. Por ndërsa i shoh me admirim përpjekjet e Francës dhe Gjermanisë sa i takon zgjidhjes paqësore të ngërçit të Ukrainës, zoti Putin, fatkeqësisht, i refuzoi mjetet diplomatike. Ai duket se axhendën e vet po e drejton për nga dhuna ushtarake”, deklaroi Harper.

Në Kanada jetojnë gati 1 milionë banorë me origjinë ukrainase. Harper pushtoi titujt e gazetave nëntorin e kaluar gjatë samitit të G20-s në Australi, kur gjatë një shtrëngimi jo fort miqësor duarsh me Putin raportohet t’i ketë thënë: “ti duhet të ikësh nga Ukraina”.

Top Channel