Prokuroria: Burg përjetë Kostandin Xhuvanit, person me rrezikshmëri shoqërore

10/02/2015 00:00

Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për Kostandin Xhuvanin, i
akuzuar për vrasjen me dashje të 4 personave në një lokal nate rreth 3
muaj më parë në kryeqytet.

Gjatë seancës së zhvilluar ditën e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, prokuroria në pretencën e vet e ka akuzuar Xhuvanin për vrasjen e 4 personave duke e cilësuar atë person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, duke qenë se edhe në të shkuarën ka qenë i dënuar për një krim të të njëjtës natyrë. Kostandin Xhuvani i ka kërkuar gjykatës 10 ditë kohë për të përgatitur mbrojtjen, gjë që është pranuar nga gjykata e cila ka caktuar datën 23 shkurt për seancën e radhës ndaj tij.

Më herët, Xhuvani ka kërkuar gjykim të shkurtër, duke bërë që automatikisht t’i ulet një e treta e dënimit, pra duke i shpëtuar në këtë mënyrë dënimin me burg përjetë.

Konstandin Xhuvani akuzohet për vrasjen e Arbër Demirajt, Edison Jahos, Enea Xhaji dhe italianit Giampaolo Azzolo, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 4 nëntorit, në një lokal nate, në rrugën e Elbasanit në Tiranë.

Top Channel