Shoqëria civile dhe gratë deputete: Më shumë gra në pushtetin vendor

10/02/2015 00:00

Në prag të zgjedhjeve lokale, Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim ka kërkuar një përfaqësim më të madh të grave në politikë, si dhe në vendimmarrje.

“Numri i grave në Këshillat Bashkiakë të zgjedhur duhet të jetë 50 përqind për zgjedhjet vendore. Mendoj që me reformën territoriale, me ndryshimet që bëhen dhe zvogëlimin e numrit të Bashkive, menaxhimi i njësive vendore duhet të jetë më i mirë”, theksoi Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

“Harta, e miratuar në fakt në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, u jep një preferencë jo të vogël burrave, që të përzgjidhen nga krerët e partive politike, pasi njësitë vendore tashmë janë bërë shumë më të mëdha dhe interesat ekonomiko-financiare bëhen edhe më të mëdha, nga ç’kanë qenë më parë”, tha deputetja demokrate Albana Vokshi.

“Qëllimi im nuk është të ndryshoj botën e vetme. Por të krijoj, të ndërtoj dhe të reflektoj sa më qartë të jetë e mundur një model ndryshimi. Dhe kjo duhet të jetë motoja e të gjitha grave”, u shpreh Keti Bazhdari, nënkryetare e Forumit të Gruas, PS.

“Unë besoj që sot, përveç sfidës së kuotave të përfaqësimit të grave në vendimmarrje të niveleve të larta politike, si një sfidë e adresuar ndaj politikës dhe Qeverisë, ne duhet të mendojmë sesi të përfshijmë në këtë sfidë edhe biznesin”, tha deputetja e PD, Majlinda Bregu.

Në Parlamentin shqiptar numërohen vetëm 29 deputete femra, kundrejt 111 deputetëve meshkuj. Një diferencë e madhe vihet re edhe në Këshillat Bashkiakë në të gjithë vendin, ku numërohen 1017 burra kundrejt 231 grave.

Top Channel