SHBA, konfirmohet vdekja e pengut Kayla Mueller

10/02/2015 00:00

Familja e Kayla Mueller, gruas amerikane që ishte mbajtur peng nga grupi terrorist i Shtetit Islamik, bëri të ditur se kishte marrë konfirmime që vërtetonin vdekjen e saj.

“Me pikëllim dhe zemër të thyer duam të ndajmë me ju faktin që kemi marrë konfirmimin e humbjes së jetës së Kayla Jean Mueller”, thuhej në deklaratën e familjes së saj. “Kayla ishte një humanitare e apasionuar dhe e devotshme. Ajo ia dedikoi të gjithë jetën e saj, edhe pse në moshë shumë të re, ndihmesës së personave në nevojë për liri, drejtësi dhe paqe”, shton më tej familja.

Të premten, ISIS bëri publik pretendimin se Mueller, e kapur në Sirinë veriore gjatë 2013-s, u vra në një ndërtesë që u godit nga një sulm ajror i Jordanisë në Raqqa, kryeqytetin “de facto” të militantëve në Siri. Në atë kohë, ISIS nuk ofroi asnjë provë mbështetëse ndaj pretendimit të tyre, por vetëm një imazh të ndërtesës së rrënuar.

Përgjatë fundjavës, ISIS i ka dërguar një mesazh privat familjes, tha zëdhënësja e Këshillit për Sigurinë Kombëtare, Bernadette Meehan, gjatë së martës.

“Sapo u vërtetua autenticiteti i këtij informacioni nga komuniteti i inteligjencës, ata dolën në konkluzionin se Kayla kishte mbetur viktimë”, tha Meeehan. E megjithatë, edhe ky informacion i ri nuk jep qartësime mbi mënyrën sesi humbi jetën Mueller, tha një burim i zbatimit të ligjit që ka njohuri mbi këtë çështje, në kushtet e anonimitetit.

Presidenti amerikan Barack Obama shprehu ngushëllimet ndaj familjes së të resë. “Dhembshuria dhe dedikimi i Kaylas për të ndihmuar njerëzit në nevojë na tregojnë neve se, edhe mes djajve të paarsyeshëm, mirësjellja thelbësore e njerëzimit mund të jetojë”, tha Obama në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë gjatë së martës.

Të afërmit e Mueller lëshuan në të njëjtën ditë një letër të shkruar me dorë, që sipas tyre ishte shkruar nga Kayla gjatë pranverës së vitit 2014, kohë kur jetonte në robëri. “Vështirë të gjej fjalët e duhura për të thënë diçka – lexohej në letër. – Mjaftohuni të dini se jam në një vendndodhje të sigurt, tërësisht e palënduar dhe e shëndetshme (madje kam shtuar në peshë). Jam trajtuar me respektin maksimal dhe me mirësi”.

Top Channel