Rusia kundër SHBA: Armët në Ukrainë, luftë e hapur

10/02/2015 00:00

Nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të mbështesin me armë Ukrainën, kjo do të përkthehej në një luftë të hapur për Rusinë.

Këtë deklaratë bëri para Komisionit të Politikave të Jashtme në Parlamentin Europian deputeti rus, Alexei Pushkov, i njohur si një ndër mbështetësit më të fortë të Putin, e njëkohësisht më me ndikim në Kremlin.

Pushkov, i cili ndodhet në listën e personave ndaj të cilëve Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione, tha se qendrimi i Moskës nuk do të ndryshojë sa i takon Krimesë.

Deklarata e tij cilësohet si një reagim ndaj deklaratës së presidentit Obama i cili në fund të takimit me kancelaren Merkel në Uashington tha se administrata e tij ende po shqyrton mundësinë e dërgimit të armëve luftarake në ndihmë të ushtrisë ukrainase.

Edhe pse ka nënvizuar se Ukraina ka të drejtën e saj të mbrohet, ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë “plotësisht dakord” dhe inkurajojnë një zgjidhje diplomatike për krizën. Ndër të tjera Obama ka bërë të ditur se qeveria amerikane do të vazhdojë me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat së fundmi kanë prekur edhe zv/ministrin rus të Mbrojtjes.

Reagimi i presidentit amerikan erdhi pasi kancelarja gjermane Merkel udhëtoi për në Uashington, për të prezantuar planin e paqes në Ukrainë, të cilin javën e kaluar e diskutoi me presidentët Hollande dhe Putin.

Top Channel