Pas emergjencës nis faza e rehabilitimit

10/02/2015 00:00

Së bashku me drejtoreshën e Bankës Botërore për Shqipërinë, kreun e
kryegjyshatës Botërore, Baba Edmond Brahimaj, presidentin  e “Biznes
Albania”,  Luan Bregasi,  Kryeministri Edi Rama mesditën e të martës,
ndoqën në bashkinë e  Urës Vajgurore procesin e shpërndarjes së ndihmave
për familjet e përmbytura.

Një sërë organizatash jo fitimprurëse, shkolla, Kryqi i Kuq dhe biznese të  ndryshme, ofruan ndihma për 67 familjet e përmbytura në këtë zonë.

Prezencën e drejtoreshës së Bankës Botërore në Urën Vajgurore  Tasin Sajed, Kryeministri Rama e lidhi me vazhdën e komunikimeve me partnerët ndërkombëtarë, për atë që Rama e quajti “plotësimin e nevojave të fazës së dytë dhe përgatitjet për atë  të  tretë”.

“Me Bankën Botërore ne kemi filluar komunikimin, ashtu si edhe me partnerët e tjerë qysh ditën e parë dhe faktikisht, me plotësimin e nevojave të fazës së dytë hyjmë në fazën e tretë që është faza kur financimet e Qeverisë, bashkë me financimet e BB dhe financimet e partnerëve të tjerë që janë treguar shumë i gatshëm të na gjenden në këtë moment, do të bëjmë të mundur zëvendësimin e krerëve të humbur, do të bëjmë të mundur mbështetjen e atyre që kanë humbur prodhimin dhe rikuperimin e një pjesë të madhe të infrastrukturës prodhuese që është asgjësuar në zonat e përmbytura”, tha Rama.

“Pasi të mbarojë faza e emergjencës për lehtësimin e pasojave, do të ketë nevojë për rikonstruksion, për të ndihmuar veçanërisht në pjesën e kanaleve ujitëse, të rrugëve dhe infrastrukturave të tjerave. Dhe ne  jemi duke punuar me Qeverinë dhe sapo të përfundojë faza e emergjencës, për të vlerësuar nevojat dhe për të punuar sëbashku me qeverinë dhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të siguruar mbështetjen e nevojshme pas kësaj katastrofe”, tha Sajed.

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve ishte një nga kontributorët e sotëm. Kreu i saj, Baba Edmond Brahimaj u shpreh se edhe Kryegjyshata është pranë familjeve të prekura të Urës Vajgurore, duke dhënë ndihmën e saj në ushqime dhe pajisje shtëpie. Ndërsa Kryetari i Shoqatës “Biznes Albania” Luan Bregasi tha se biznesi po orienton ndihmat sipas kërkesave specifike të banorëve.

Top Channel