Historia e sëmundjes së Ambra Medës dhe apelet e para publike

10/02/2015 00:00

Gushti i vitit 2013 nuk do të harrohet kurrë nga familja Meda. Një problem shëndetësor i vajzës së tyre, Ambrës, ua përmbysi botën. Kontrollet e njëpasnjëshme treguan se vajza e re vuante nga një lloj i rrallë i tumorit në veshka. Kushtet e spitaleve në Shqipëri ia bënin të pamundur operacionin dhe trajtimin e nevojshëm.

Me shpresën për shpëtimin e vajzës, familjarët e dërgojnë në Mynih të Gjermanisë. Diagnoza e saj ishte shumë e rëndë dhe shënonte rastin e 131-të në botë, por sipas mjekëve ky ishte rasti i parë që kishte mundësi shpëtimi, megjithëse kostoja ishte shumë e lartë.

E ndërsa nxënësit e tjerë ishin ulur në bankat e shkollës, në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet mungonte Ambra. Gazetari i njohur, Dëfrim Methasani, bën thirrjen e parë publike për këdo që kishte mundësi të ndihmonte mbesën e tij, pasi operacioni i kalonte 180 mijë eurot. Ata trokitën edhe në emisionin “Pasdite në Top Channel”, ku bënë apelin e parë publik më 26 shtator 2013 për të kërkuar mbështetje.

Me lot në sy, babai i Ambrës, Skënder Meda, tashmë kishte vendosur të shiste shtëpinë, por dukej se paratë ishin sërish të pamjaftueshme. Ambra nuk ishte një rast i zakonshëm. Vullneti i saj për të mos u dorëzuar kurrë tërhoqi vëmendjen e familjes Keta. Kampionët e boksit, Ismail dhe Gjetan Keta, kontribuan që 17-vjeçarja të realizonte ndërhyrjen që mund t’i shpëtonte jetën.

Dalja në media pati efektin e saj. Një numër i madh njerëzish në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo ku ka shqiptarë, u ndërgjegjësuan me Ambrën dhe kontribuan për të.

Pas disa ndërhyrjesh kirurgjikale, shpresat mbeteshin te kimioterapia. Tek Ambra do të aplikohej një kimioterapi e shpikur nga një doktor anglez, i cili e kishte provuar pa sukses te vetja e tij 10 vite më parë. Ai nuk ia kishte dalë të shpëtonte, por Ambra ishte plot shpresë. Në spitalin ku qëndronte në Gjermani, ajo ishte kthyer në personazhin më të dashur. Mjekët surprizoheshin nga energjia e saj, nga forca dhe nga buzëqeshja e përhershme, edhe kur i duhej të futej në kimioterapi, të cilat i sillnin shumë dhimbje.

Në muajin maj 2014 do të konfirmohej se operacionet kishin dalë me sukses dhe Ambra e kishte fituar luftën e saj.

Në spitalin e Mynihut, dhoma e Ambrës ishte bërë pika kryesore e vizitorëve të ndryshëm nga Shqipëria dhe Gjermania. Personazhe publikë, këngëtarë, modele, madje edhe Princesha e Mynihut simpatizonin Ambrën, sepse ajo për ta ishte simbol i shpresës. Këndonte, vizatonte, bënte humor, kur mundej shkonte edhe në palestër apo kickbox, ndoshta e frymëzuar nga ata që bënë gjithçka për të, vëllezërit Keta.

Top Channel