Dita e parë në shtëpi, pas 18 muajsh në spital

10/02/2015 00:00

Familjarë, miq, nxënës shkollash, të njohur e të panjohur, të hënën në aeroportin “Nënë Tereza” po prisin me festë uljen e avionit të orës 11:00, që vinte nga Mynihu i Gjermanisë.

Në bordin e tij ndodhej vajza, që ndërgjegjësoi më shumë sesa një komb. Ajo mban imazhin e njeriut që nuk dorëzohet kurrë e që buzëqesh përherë, edhe kur e di se mund t’i kenë mbetur pak ditë jetë.

Pankartat, që shokët dhe shoqet mbanin në duar, tregonin për frymëzimin që kishte bërë një 17-vjeçare.

Rreth 40 minuta pas uljes në tokën shqiptare, në njërin nga terminalet dalëse të aeroportit shfaqet Ambra Meda. Shoqërohet nga mamaja e saj dhe familjarët më të ngushtë. Posaçërisht nga Gjermania, me të ka ardhur edhe Ajet Keta, vëllai i kampionëve që i dhanë mbështetjen më të madhe: Ismail dhe Gjetan Keta.

Me flamuj shqiptarë dhe gjermanë, vjen si një kampione e vërtetë, sepse ka fituar në një disiplinë ku nuk jepen medalje: ka fituar jetën e saj, apo siç e thotë edhe ajo vetë, ka rilindur.

“E prisja, sepse shqiptarët kanë qenë gjithmonë së bashku me mua në këtë betejë. E prisja që do të ishte kaq i bukur kthimi im këtu. Sigurisht është ende më bukur kur kthehesh pas një kohe kaq të gjatë në atdheun tënd. Dua të falënderoj të gjitha ata që ishin me mua në këtë betejë, sepse kur nuk je vetëm fiton”, është shprehur Ambra.

Janë të shumtë njerëzit, që kanë dalë për t’i uruar Ambrës mirëseardhjen. E në këndin që u vetimprovizua si një studio fotografike, në njërin nga baret e aeroportit, të gjithë dëshironin një foto me Ambrën.

“Qenka bukur të jesh personazh i njohur dhe të të duan kaq shumë e gjithë Shqipëria. Ju përshëndes”, tha Ambra, teksa largohej nga aeroporti.

Pas një pushimi të shkurtër, Ambra bëhet gati për të shkuar në shtëpinë që i mungon prej 18 muajsh. Gjithçka është përshtatur për t’i dhuruar një mirëseardhje të ngrohtë vajzës së tyre të fortë. Dhoma e gjumit është gati për Ambrën. Portreti i saj dhe i motrës më të madhe, Nerildës, janë gjëja e parë që të kap syri.

“Po më duket vërtet si një ëndërr por shumë e bukur. Kam një vit e gjysmë që nuk jam kthyer në këtë dhomë dhe më duket e pabesueshme që sot jam këtu. Që rilinda sërish, mund të them, dhe jam mes familjes, mes miqve, mes gjithë atyre që më duan dhe mbi të gjitha mes shqiptarëve”, thotë Ambra.

Motra më e vogël, Eliana, dëshiron t’i tregojë Ambrës dhomën e saj.

Në familjen Meda vijnë shumë vizitorë. Mes tyre, me një tufë lulesh në dorë, vjen dhe Fiori Dardha, moderatorja e emisionit “Fiks Fare”, një mike e shtrenjtë e Ambrës…

Daja i Ambrës, gazetari i njohur Dëfrim Methasani, ka organizuar një drekë falënderimi për të gjithë ata njerëz, që e pritën Ambrën në ditën e saj të parë në shtëpi. Ai e ka mbështetur gjatë gjithë këtyre muajve në luftë për jetën. Ambra Meda tashmë është kthyer në një frymëzim, në një njeri që jep shpresë për të tjerët.

Top Channel