Meta pret Veselin: Të liberalizohen të gjitha shkëmbimet

10/02/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta priti në një takim Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i zgjedhur vetëm pak kohë më parë në këtë detyrë.

Të dy homologët  vlerësuan marrëdhëniet shumë të ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe diskutuan mbi intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh, si në aspektin ndërparlamentar, ashtu edhe në drejtim të rritjes së shkëmbimeve ekonomike e tregtare.  

“Unë dua të theksoj rëndësinë që ka një bashkëpunim dhe koordinim më i ngushtë në të ardhmen për të cilën kemi rënë dakord, përsa i takon përputhshmërisë së legjislacionit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Përputhshmërisë midis dy vendeve, por edhe përputhshmërisë së legjislacionit tonë në raport me atë të Bashkimit Europian me qëllim lehtësimin e procesit të integrimit europian gjithashtu. Në këtë drejtim kemi vlerësuar se unifikimi i standardeve është shumë i rëndësishëm për të liberalizuar të gjitha shkëmbimet, shkëmbimet ekonomike, shkëmbimet tregtare, por njëkohësisht edhe për të liberalizuar tregun e punës midis dy vendeve për të cilën po punojnë edhe institucionet përkatëse”, deklaroi Meta.

I pyetur lidhur me emigrimin në masë të shqiptarëve të Kosovës, kryeparlametari Veseli tha se fenomeni nuk bën krenare klasën politike në Prishtinë dhe u bëri thirrje qytetarëve që ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.

“Në fakt, ajo çfarë të gjithë ne shohim tani, emigrimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Europian nuk është diçka e cila na bën krenarë, është një situatë të cilën ne si institucione të Republikës së Kosovës jemi duke marrë masa ta tejkalojmë bashkarisht. Ajo çka unë dua të përçoj si mesazh është, se qytetarët e Republikës së Kosovës duhet ta shohin të ardhmen e tyre në Republikën e Kosovës dhe të gjithë bashkërisht, ata dhe ne si institucione, duhet ta përmirësojmë gjendjen tonë në mënyrë që të kemi një Kosovë më të zhvilluar ekonomikisht dhe në të njëjtën kohë të kemi edhe një perspektivë më të veçantë të jetesës sonë bashkërisht në Republikën e Kosovës. Edhe një herë, perspektiva e qytetarëve tanë është në Kosovë. Ne jemi shtet i ri, jemi në procesin e transformimeve politike dhe ekonomike, në procesin e integrimeve të mëdha, duhet të kemi më shumë durim. Në të njëjtën kohë duhet të kemi fanatizëm, të qëndrojmë në vendin tonë dhe të zhvillojmë vendin tonë, dhe kurrsesi të mos largohemi nga vendi ynë”, tha Veseli.

Top Channel