Debat në Komision e Jashtëm për përfaqësimin në OSBE

10/02/2015 00:00

Vetëm hyrja e Ministrit Bushati në Komisionin e Jashtëm ishte e qetë. Për rreth 5 orë e 30 minuta në një nga rekordet kohore të këtij Komisioni, ai është pyetur dhe akuzuar nga demokrati Aldo Bumçi, që i kërkoi madje edhe dorëheqjen për atë që ai quajti skandali i refuzimit të Komitetit të Ekonomisë dhe Mjedisit nga Shqipëria në OSBE, gjatë kryesimit serb të kësaj organizate.

“Ky është një akt për të të larguar nga ajo ministri, sepse gjë tjetër nuk mund të pritet nga Ministri i Jashtëm që të arrinte në këtë vendimarrje, kundër vendit të tij, kundër interesit të shqiptarëve në rajon, kundër Kosovës ndaj një propozimi dhe oferte të qartë të partnerëve tanë, është se do të largojë ambasadorin”, tha Bumçi.

Por përkundër kësaj akuze, Ministri Bushati përmes një sqarimi të gjatë, citoi një raportim të vetë ambasadorit tonë në OSBE për Komitetin në fjalë.

“Komitet tjetër nuk mund të kryesojmë në këtë periudhë sepse janë të zënë, përveç Komitetit të Ekonomisë dhe Mjedisit që është i lirë në 2015-n, por që është më i parëndësishmi. Nëse doni që të vazhdojmë dhe të bëjmë diskutime për inat, unë po ju them që inatin e lë në shtëpinë time. Të gjithë qendrimet tona në OSBE kanë qenë të linjëzuara me partnerët amerikanë dhe të Bashkimit Europian”, u kundërpërgjigj Ministri Bushati.

Deklarimi i Ministrit të Jashtëm se Shqipëria në një vit e gjysmë ka rritur peshën specifike dhe rolin në organizmat ndërkombëtar si asnjëherë me parë ka mbyllur çështjen e OSBE-së, por jo akuzat e Bumçit, që solli shqetësimin për qendrimet e Ministrit ndaj Presidentit.

Debati i parapriu shqyrtimit të ligjit të ri për shërbimin e jashtëm, ku pavarësisht se nuk ndryshon asgjë në rolin e Presidentit për emërimin dhe lirimin e ambasadorëve, çështja mbetet në qendër të debatit pas pretendimit të Nishanit dhe mbështetjes së deputetëve të djathtë se qeveria duhet të konsultohet me të për emrat e ambasadorëve.

Ministri sqaroi se kompetenca e tij parashikohet në nenin 92 të Kushtetutës në të njëjtin nen që parashihet edhe zgjidhja e disa funksioneve të tjera publike.

“Është një kompetencë formale. Rektorët votohen nga trupat zgjedhore universitare, kryetari i Akademisë së Shkencave nuk është në çmimin e Presidentit të Republikës. Hartuesi i Kushtetutës e ka vendosur Presidentin e Republikës në pozicionin e digës finale. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese edhe për këtë çështje dhe po të shohim terminologjinë e përdorur në Kushtetutë është e njëjtë”, tha Bushati.

Ndërsa çështja e kompetencave formale të Presidentit për ambasadorët është në Kushtetutë, për ligjin e ri të shërbimit të jashtëm u ra dakort që Ministria dhe Komisioni i Politikës së Jashtme të punojnë së bashku për një variant sa më afër konsensusit të mundshëm.

Top Channel