Korrupsioni, SHBA mbështet Qeverinë: Lufta s’përfundon në një ditë

10/02/2015 00:00

Ambasadori Amerikan, Donald Lu vizitoi terminalin doganor në Doganën e Tiranës prej nga vlerësoi dhe nxiti vazhdimin e reformave dhe luftës kundër korrupsionit.

“Populli shqiptar ka pritshmëri të larta për reformat në dogana dhe ende mbetet shumë punë. Reformat në luftën kundër korrupsionit nuk do të përfundojnë në një ditë të vetme, ato kërkojnë vigjilencë dhe vendosmëri. Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet këto përpjekje reformash të vështira dhe të rëndësishme”, tha në fjalën e tij Ambasadori Donald Lu.

Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, që shoqëroi ambasadorin amerikan në këtë terminal doganor falenderoi Shtetet e Bashkuara për programin e ndihmës.

“E falenderova Ambasadorin për bashkëpunimin që kemi me programin për kontrollin e eksporteve dhe sigurinë e kufijve përmes të cilit administrata doganore shqiptare ka përfituar jo vetëm në inventar pajisjesh të reja për kontrollin më të mirë të kufijve dhe luftën kundër trafikut por edhe trajnime të burimeve njerëzore së bashku me Policinë e Shtetit”, tha Elisa Spiropali, Drejtore e Përgjithshme e Doganave.

Ambasadori amerikan u njoh me punën në terren të njësive operacionale kundër trafiqeve të paligjshme dhe proçedurat e thjeshtëzuara doganore në shërbim të operatorëve të ndershëm. Për të ndihmuar në mbrojtjen e kufijve dhe luftën ndaj kontrabandës, SHBA dhuroi dy makina patrullimi për doganën shqiptare.

Top Channel