“Do të vazhdojmë ëndrrën e ‘Masterchef’-it”

10/02/2015 00:00

Në lidhje të drejtpërdrejtë me Pasdite në Top Channel, nga kuzhina e shef Miklovanit dhe Juan-it kanë qenë edhe Irdi Keca dhe Veri Shaqja, dy konkurrentë të cilët përshkuan me sukses rrugëtimin e tyre deri në gjysmëfinalen e “Masterchef Albania 2”, për t’u eliminuar më pas nga ky program i jashtëzakonshëm kulinarie, por që kurrsesi nuk mund të largohen nga kuzhina përveç se nga ajo e “Masterchef”-it.

Tek Irdi në fakt, në momentin e marrjes së vendimit nga tre shefat e jurisë për eliminimin e tij nga gara, të bënte përshtypje fytyra e tij e lëshuar përtokë nga mërzia, por a ishte kjo për shkak se ai i kishte rritur së tepërmi pritshmëritë për të fituar këtë kompeticion?

Vetë ai shprehet se është e natyrshme që kur shkon kaq pranë finales dhe eliminohesh vetëm në hapin e fundit, atëherë kjo nuk mund të jetë diçka e lehtë për t’u përjetuar, e megjithatë tek ai kishte edhe shenja sportiviteti përpara atij vendimi, pasi pjesëmarrja në “Masterchef” i hapi shumë dyer drejt ëndrrës së tij për t’u bërë një ditë shef kuzhine. “Në jetë përballemi gjithnjë me humbje dhe me fitore, por e rëndësishme është që humbjet t’i kthejmë në momente pozitive të mësojmë prej tyre”, thotë Irdi Keca, i eliminuar në gjysmëfinalen e “Masterchef 2”.

Edhe për Verin, momenti i eliminimit nga gara ishte disi zhgënjyes. Kishte ardhur pikërisht momenti kulminant i asaj gare dhe ai, ashtu si 3 kandidatët e tjerë në garë për t’u bërë “masterchef”-i shqiptar i edicionit të dytë, pretendonte fitoren, sepse siç thotë edhe vetë “pjata e fundit e tij ishte shumë elegante, ku ishin bashkuar vendlindja e tij e deti, me vendin fqinj ku ai jeton Italinë, si dhe tartari i mishit me ostriken”.

Pasi gatuan secili nga një pjatë për publikun e Pasdite në Top Channel, Irdi dhe Veri nuk ndihen aspak të sikletosur por tepër të lumtur, sepse tashmë nuk ekzistonte më ai tensioni i garimit dhe kritikave që mund të merrnin në “Masterchef”.

Momenti më i vështirë për Irdin në “Masterchef 2” ka qenë episodi i parë farë, kur pjata e tij rezultoi ndër më të këqijat, vetëm pak çaste pasi kishte rezultuar fillimisht si një ndër pjatat më të mira. Siç rrëfehet ishte frikësuar shumë dhe kur ecte rrugëve të Shijakut njerëzit e ngacmonin pikërisht për atë “defekt” të pjatës së tij të dytë.

Por ku përfundonin gjithë ato pjata mëse elegante të “Masterchef” pas mbylljes së emisionit dhe garës së radhës? “Pjatat që bënim ne, me të përfunduar emisioni, konsumoheshin nga i gjithë stafi përfshi edhe vetë ne, pasi ishim kuriozë të provonim pjatat që kishin bërë konkurrentët e tjerë. Por këto nuk është se mjaftonin për të gjithë kohën e kaluar nëpër xhirime, ndaj dhe në momentet e pritjes ne dilnim në një byrektore pranë studiove dhe merrnim edhe byrekë për të ngrënë”, rrëfen Irdi, i cili nuk nguroi të zbulonte edhe një “prapaskenë” pikante për njërin prej shefave, Renaton. “Një ditë kur shkova në byrektore për të marrë dy byrekë për shef Renaton, iu drejtova shitëses të tregohej e kujdesshme, sepse ato do të ishin për një klient special, dhe me t’i rrëfyer që bëhej fjalë për shef Renaton, ajo m’i tërhoqi byrekët nga duart dhe kërkoi t’i ngrohte mirë, sepse sipas saj ishin pak të ftohtë”.

Veri, ashtu siç të gjithë e kemi ndjekur, ka qenë një nga personazhet që e ka vuajtur më së shumti momentin e prag-eliminimit, e pasi i kishte mbijetuar shumë herë, nuk ia doli pikërisht në gjysmëfinalen e “Masterchef”.

“Edhe pse e pyesja veten, se përse isha unë ai që mbetesha gjithnjë në garë për t’u eliminuar, asnjëherë nuk munda ta marr një përgjigje as nga vetja dhe as nga të tjerët. Mendoj se ishte çështje fati, por ishte diçka që më ka bërë shumë mirë. Besoj se kam qenë një prej konkurrentëve që kam bërë më shumë pjata në ‘Masterchef’, me anë të të cilave kam treguar edhe sesa mund të jap nga vetja. Jam ndierë i kënaqur që kam gatuar gjithmonë dhe nuk kam shkuar ndonjëherë në ballkon për të parë të tjerët si gatuajnë”, tregon Veri.

Sa i përket emisionit më të vështirë të kaluar prej tij gjatë kësaj eksperience tepër të vyer, Veri shton: “Ishte pikërisht episodi kur u ndesha me Irdin dhe Blerin, dhe pjata ime rezultoi sipas shefave si ajo me më shumë probleme. Aty mendova se përfundoi edhe garimi im. Por nuk rezultoi kështu, sepse ishin dy shporta me dy zarfe, njëri prej të cilëve duhej marrë prej meje, e që më jepte mundësi të merrja pjesë në provën tjetër me gjysmën e kohës së të tjerëve. Këtu ia arrita të nxirrja një pjatë jo ndër më të dobëtat, duke mos u eliminuar”, thotë Veri.

Veri ka folur paksa edhe për jetën jashtë kuzhinës, duke qenë se tashmë është bërë një person publik dhe i famshëm. Aktualisht ai jeton në Itali me familjen dhe vjen shpesh në Shqipëri, por dëshira e tij është të rikthehet këtu dhe të punojë, ndërsa në lidhje me jetën private shprehet se nuk ka shumë kohë, pasi është i përqendruar në karrierën e tij si kuzhinier, pse jo për t’u bërë një ditë shef kuzhine.

Top Channel