Skandali i përgjimeve në Maqedoni, analistët: Do të ketë pasoja

10/02/2015 00:00

Afera me përgjimet masive në Maqedoni, që u publikua nga opozita ditën e hënë, do të ketë pasoja të rënda për vendin në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Kështu vlerëson gazetari maqedonas, Branko Gerovski.

Sipas tij, përveç përkeqësimit drastik të imazhit të vendit në skenën e jashtme, pas skandalit të përgjimit pushteti do të humbasë tërësisht besimin te qytetarët, ndërsa dialogu politik mes partive do të behët i pamundur.

“Problemi mund të zgjidhet vetëm përmes një mënyre, duke mbizotëruar vullneti politik në vend dhe te faktori ndërkombëtar për zgjedhjet korrekte dhe demokratike, që mund të organizohen vetëm nga një Qeveri e re teknike, e cila do të ketë mbështetjen e faktorëve më të rëndësishëm në vend. Një Qeveri e ngjashme me atë të pas konfliktit të vitit 2001, që mund të organizojë zgjedhje, ku për herë të parë pas 8 viteve do të dalë në pah vullneti i lirë i qytetarëve”, tha Branko Gerovski, gazetar.

Skandali i përgjimeve, sipas publicistit Kim Mehmeti, është edhe një dëshmi për situatën e rëndë në Maqedoni. Ai është i mendimit se publikimi i kësaj afere dhe të tjerave në pritje kundër pushtetit, nuk do të ndryshojë asgjë për shqiptarët, pasi ata prej vitesh janë të papërfaqësuar në këtë shtet.

“Mendoj se ne shqiptarëve të Maqedonisë nuk na nevojiteshin ‘bomba’ plotësuese, që ta kuptojmë se jetojmë në një shtet ku është e frikshme të jetosh. Neve na ndodhën rastet ‘Monstra’, ‘Enciklopedia’ maqedonase, eliminimi i komandantit Harun Aliu, por edhe projekti ‘Shkupi 2014’, që shpjegojnë mjaftueshëm se në duart e kujt jemi. Dhe aq më shumë tregojnë se ne jemi popull i papërfaqësuar në këtë shtet”, tha Kim Mehmeti, publicist.

Nuk përjashtohet mundësia, që afera e përgjimeve të përkeqësojë edhe raportet mes partnerëve të koalicionit qeveritar në Shkup, për shkak se opozita pretendon se partia në pushtet ka përgjuar edhe liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, dhe si dëshmi për këtë publikoi një bisedë telefonike të tijën të përgjuar.

Ndërkohë, institucionet shtetërore dhe shumica e politikanëve të përgjuar nuk kanë komentuar aferën.

Top Channel