Një 25-vjeçar në Paraguaj arrinte të futej dhe të vidhte në shtëpitë e të moshuarave pasi vishej me pelena dhe hiqej si një vogëlush që kishte humbur nënën.

Banorët e zonës mendonin se Alberto Julian Meza ishte i sëmurë mendor, por pasi hynte nëpër banesa ai vidhte sende të çmuara në kohën që të moshuarat i përgatisnin diçka për të ngrënë.

Një banore e Villa Elisa, në periferi të Asunsionit, tregon: “Ai ka vite që shëtit i veshur vetëm me pelena dhe vjedh, por policia e ka arrestuar vetëm tani. Nuk e kuptoj pse nuk e kanë ndaluar më parë. Një burrë i rritur që ecën me pelena dhe me lëpirëse në dorë, nuk është e vështirë ta gjesh.“

Por, zëdhënësi i policisë theksoi se arrestimi është vonuar për faktin se denoncimet që vinin në polici flisnin për një fëmijë dhe jo për një burrë që hiqej si i tillë: “Nuk është arrestuar më parë pasi nuk po kërkonim një burrë me pelena.“

Top Channel