Përmbytjet, Basha akuzon Ramën: Amendament për fondet e zhdëmtimit

10/02/2015 00:00

Përmbytjet në jug të vendit kanë qenë kryefjala e mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. I kthyer nga zonat e përmbytura, Lulzim Basha ka akuzuar sërish qeverinë për situatën e krijuar pas përmbytjeve.

“Akuzojmë sot politikisht qeverinë Rama-Meta për mosveprim me pasoja të rënda në dëm të pasurisë së mijëra familjeve të përmbytura. E akuzojmë Kryeministrin për abuzim me funksionet shtetërore për të fshehur paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tij në menaxhimin e situatës”, tha Basha.

Gjatë fjalës së tij, kreu demokrat shtroi dhe pyetjen se ku ishin përdorur 110 milion lekët e Fondit të Emergjencës të vitit 2014, edhe pse sipas tij, nuk ka pasur asnjë emergjencë.

Për këtë gjë Basha siguroi se do të kërkohen dhe shpjegime nga ana e Qeverisë. Ndër të tjera Basha bëri publike dhe një amendament që Partia Demokratike do të paraqesë në Kuvend.

“Do të marrim nismën për një amendament në ligjin e buxhetit të shtetit me qëllim alokimin e fondeve që janë dhënë për vepra luksi për zhdëmtimin e të gjithë dëmeve në zonat e përmbytura”, shtoi Basha.

Në fund të fjalës së tij, kreu i demokratëve edhe njëherë vuri theksin tek largimi i menjëhershëm i kësaj qeverie.

“Kjo qeveri këtë bereqet ka! Detyra jonë si opozitë për t’i larguar nga pushteti dhe për t’i ofruar Shqipërisë një rrugë tjetër shprese dhe zhvillimi bëhet çdo ditë një imperativ i shoqërisë shqiptare”, tha kreu i opozitës.

Top Channel