Ukrainë, luftimet minojnë shpresat për paqe në samitin katërpalësh

10/02/2015 00:00

Raketat e hedhura së fundi kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 10 civilëve dhe ushtarëve në thellësi të territorit të kontrolluar nga forcat qeveritare ukrainase gjatë së martës, ndërsa rebelët janë përpjekur të fitojnë terren me një tjetër ofensivë në një kryqëzim hekurudhor nën kontrollin e ushtrisë, përplasje që tregojnë pozitat e përkeqësuara të Kievit në prag të bisedimeve katërpalëshe për paqe.

Avancimet e rebelëve prorusë kanë minuar shpresat për një marrëveshje të re paqeje, kur Rusia, Ukraina, Franca dhe Gjermania të zhvillojnë një samit në Minsk gjatë së mërkurës, bazuar mbi nismën e re franko-gjermane për të ndalur luftimet, në një luftë që ka vrarë mbi 5 mijë persona brenda 1 viti.

Zyrtarët europianë thonë se është e vështirë të imagjinosh dakordësimin e rebelëve për të ndalur luftimet dhe për t’u kthyer në pozicionet e mëhershme të tyre, pas disa javësh gjatë të cilave ata kanë avancuar në mënyrë të pandërprerë.

Një burim rus i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve, RIA Novosti, bëri të ditur se nuk ka asnjë plan për të nënshkruar ndonjë dokument për të zgjidhur konfliktin në bisedimet e paqes, por i vetmi subjekt i diskutimeve do të jetë krijimi i një zone të çmilitarizuar.

Lufta dhe vitet e gjata të korrupsionit endemik kanë çuar në prag falimentimi Ukrainën, ku monedha vendase është zhvlerësuar ndjeshëm gjatë javës së kaluar. Ukraina po negocion një paketë shpëtimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe disa burime thonë se paketa mund të zgjerohet në mënyrë dramatike deri në një ndihmë prej 40 miliardë dollarësh.

Predhat e lëshuara janë përplasur në Kramatorsk, rreth 50 km në veri të frontit të ekzistues të luftës, duke goditur kryesisht selitë e përkohshme të ushtrisë ukrainase gjatë fushatës që kanë ndërmarrë në lindje, por edhe zonat e afërta rezidenciale.

Zyrtarë lokalë thonë se të paktën 7 civilë janë vrarë, ndërsa 26 të tjerë dhe 10 ushtarë janë plagosur. Një deputet i Parlamentit të Kievit tha se janë vrarë gjithashtu edhe 4 ushtarë.

Rebelët mohojnë të kenë goditur nga qyteti, por aftësia e dukshme e tyre për të goditur deri aq thellë në territorin e kontrolluar prej ukrainasve pritet të komplikojë bisedimet për paqe, të cilat synojnë të rikthejnë armëpushimin e Minskut gjatë shtatorit të vitit të kaluar, të cilin separatistët e kanë shkelur përfundimisht me ofensiva gjatë muajit të fundit.

Në frontin e Vuhlehirskut, një qytet i vogël i pushtuar nga rebelët javën e kaluar, breshëritë e artilerisë së rëndë kanë përfunduar në të dyja kahet. Rebelët synojnë të rrethojnë forcat qeveritare, të cilët janë pranë Debaltsevit, një kryqëzim rrugësh tokësore dhe hekurudhore, që është vënë në qendër të objektivave të rebelëve.

Kremlini, i cili akuzohet nga Perëndimi për dërgime armësh dhe ushtarësh përtej kufirit, për të ndihmuar luftëtarët të marrin territorin e quajtur “Rusia e re”, njoftoi stërvitjet njëmujore luftarake gjatë së martës, ku do të përfshihen 2000 trupa në krahun rus të kufirit. Por si gjithmonë mohohet përfshirja e Rusisë në luftimet në Ukrainë.

Parisi dhe Berlini kanë ruajtur nivele të ulëta pritshmërie për nismën e tyre të re për paqen. Presidenti francez, Francois Hollande, tha se udhëheqësit do të shkonin në bisedime “me dëshirën e fortë për të arritur sukses, por pa qenë të sigurt nëse do të jetë e mundshme të arrihet suksesi”.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Ëalter Steinmeier, tha se vetëm mbajtja e një samiti nuk do të garantonte aspak suksesin dhe se asgjë nuk është zgjidhur deri më tani.

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, tha se bisedimet e së mërkurës do të jenë një nga mundësitë e fundit për të deklaruar një armëpushim të pakushtëzuar dhe tërheqjen e armatimeve të rënda, propozime që më shumë duket se fokusohen te tërheqja e Kievit, sesa të ndalja e avancimit të rebelëve.

Luftimet e fundit kanë rritur zërat në Perëndim për të ushtruar më shumë presion ndaj Moskës. Presidenti amerikan Barack Obama është duke konsideruar dërgimin e armatimeve për Kievin. Ai u takua me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, gjatë së hënës, por nuk dha ndonjë njoftim mbi vendimmarrjen e mundshme për dërgimin e armëve, pavarësisht se disa zyrtarë të lartë në administratën e tij kanë dalë publikisht në mbrojtje të idesë së dërgimit të tyre.

Vendet e Europës kundërshtojnë dërgimin e armëve drejt Kievit, duke argumentuar se ky veprim thjesht sa do të përshkallëzonte luftën, duke mos i dërguar asgjëkundi, pasi gjithsesi nuk do të sigurohej forca e nevojshme për ukrainasit që ta fitonin këtë luftë.

Kievi nga ana e tij njoftoi të martën se forcat qeveritare kanë nisur një kundërofensivë në juglindje të vendit, për të lehtësuar disi presionin e separatistëve në qytetin port të Mariupolit, apo qyteti më i madh në provincat e rebeluara që mbetet ende nën kontrollin e Qeverisë. Për momentin nuk ka asnjë informacion të detajuar, por vështirë që të lehtësohet presioni i rebelëve në një front kryesor lufte, ku forcat e Kievit janë tërhequr vazhdimisht.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel