BE ndihma për përmbytjet, Austria dhe Sllovakia, dy vendet e para që kontribuojnë

11/02/2015 00:00

Komisioni Europian njoftoi se Austria dhe Sllovakia janë dy vendet e para të Bashkimit Europian që i vijnë në ndihmë Shqipërisë pas përmbytjeve të fundit.

Mekanizmi i BE-së për mbrojtjen civile u aktivizua më 4 shkurt për Shqipërinë, pas 4 ditë reshjesh të dendura, veçanërisht në jug të vendit, që sollën shpërnguljen e 600 familjeve dhe dëme në 17 mijë hektar, siç është raportuar dhe pranë Qendrës së Koordinimit të përgjigjes ndaj emergjencave të BE-së .

Burime konfidenciale rrëfyen për Top Channel se ndihma nga Austria ka mbërritur tashmë në terren, ndërsa dërgesa e Sllovakisë është nisur dhe pritet të jetë në destinacion gjatë të mërkurës. Mësohet se autoritetet shqiptare kanë kërkuar pompa të kapacitetit të lartë, gjeneratorë, tenda, shtretër, batanije, veshje dimërore dhe artikuj ushqimor.

Mekanizmi i BE-së synon të koordinojë mes vendeve pjesëmarrëse dhënien efiçente të ndihmave, sipas nevojave të përditësuara. Në Europë, gjatë 24 orëve të fundit, Qendra e Koordinimit të BE-së sinjalizoi alarm për mot të keq në Kretë  të Greqisë, në veri-perëndim të Maqedonisë, në Jug të Italisë, në Bosnje-Hercegovinë dhe në lindje të Austrisë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel