Me 162 vota nga deputetët e dy partive të koalicionit qeveritar, qeveria e re greke ka marrë në mbrëmjen e së martës votëbesimin e parlamentit. 137 ligjvënësit e tjerë nga 299 të pranishëm kanë votuar kundër.

Kryeministri grek, që sipas sondazheve ka mbështetjen e 75 përqind të grekëve për mënyrën se si po negocion me partnerët europianë ka fituar lehtësisht betejën e tij të parë në parlament, duke u zotuar se kurrë nuk do të lejojë që vendi të kthehet në epoken e programeve të reformave të ashpra të kursimit.

“Greqia e vogël i shërben demokracisë, solidaritetit, Europës së bashkuar, jemi të gjithë banorë dhe pronarë në këtë shtëpi që quhet Europë”, ka deklaruar Tsipras që është shprehur optimist se do të arrijë një marrëveshje me huadhënësit e Athinës. 

“Ne kërkojmë që të gjejmë një zgjidhje politike brenda kuadrit europian, jo për të zgjidhur një ekuacion ekonomik që nuk mund të zgjidhet, por për një marrëveshje urë në mënyrë që të kemi mundësinë të diskutojmë sinqerisht, pa shantazhe dhe në fund të konkludojmë në një marrëveshje të re për progres ekonomik dhe bashkëpunim në Europë”, tha Tsipras.

Votëbesimi i qeverisë ka ardhur vetëm disa orë para samitit tepër të rëndësishëm të Eurogrupit, ku Athina fillon negociatat e saj për një marrëveshje kalimtare dhe ndihme financiare deri në verën e këtij vitit, në një klime jo të favorshme për të, duke pasur kundër qendrimin e ashpër të Berlinit. Ministri gjerman i financave, Volfgang Schauble ka deklaruar disa orë para samitit se nuk do të negociojë program tjetër përvec atij ekzistues dhe se nëse Greqia nuk do, atëhere merr fund gjithcka.

Ndërkohë, debatin për marrëveshjen e re dhe cështjen e borxhit grek, komplikojnë përvec disa deklaratave të Athineë për mbështetje nga Moska apo Pekini, edhe një histori e ndërlikuar që ndajnë Gjermania dhe Greqia për dëmshpërblimet e luftës dhe kredinë e pushtimit që pala greke i përllogarit në mld euro, kërkesa që i ka përsëritur të martën Ministri i Jashtëm grek në takimin me homologun gjerman në Berlin.

“Ne,gjermanët, jemi  plotësisht të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë politike dhe morale për ngjarjet e tmerrshme mes viteve 1941 dhe 1944 në Greqi dhe Greqia ka ende në kujtesë fjalimin e presidentit gjerman, kur ai i ka pranuar ato duke përdorur fjalët e duhura.  Megjithatë, ne jemi të bindur se të gjitha çështjet e dëmshpërblimeve, duke përfshirë edhe kredine e pushtimit, janë zgjidhur juridikisht dikur dhe për të gjitha palët”, tha Frank-Valter Steinmeier, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Sipas analistëve Athina fillon sot negociatat pa pasur asnjë aleat në samitin e Eurogrupit, përveç frikës se moszgjidhja e cështjes së borxhit grek do të shkaktonte një dalje të saj nga zona e euros me efekte shkatërruese domino, jo vetëm në Europë, por edhe jashtë saj.

Pavarësisht se konsiderohet i vështirë fakti që do të marrë fund memorandumi i reformave të ashpra të miratuara nga qeveria e mëparshme, tek shumica e grekëve ekziston optimizmi se qeveria Tsipras do të marrë dicka pozitive nga kreditorët e saj.

Top Channel