Top Show, kush po luan me tritolin?

11/02/2015 00:00

Tre shpërthime me tritol, ku në dy prej tyre shënjestër ishin familjarët e Ministrit të Brendshëm, kanë mjaftuar për të trazuar ujërat brenda dhe jashtë politikës. Por, kush po luan me tritolin?

Kjo ishte ajo që u diskutua ditën e martë në Top Show, ku të ftuar ishin Arben Ristani, Sekretar i Përgjithshëm i PD, Taulant Balla, deputet i PS, Saimir Visha avokat, Arion Sulo kryeredaktori i gazetës “Mapo”, Sokol Bregu gazetar i Top Channel, Skënder Minxhozi analist, Aristir Lumnezi zëvendëskryeredaktor i gazetës “Panorama” dhe Ilir Nikolla kryeredaktor i gazetës “55”.

Gazetari i Top Channel, Sokol Bregu e mori fjalën i pari duke thënë se ngjarjet janë cilësuar si sulme të pastra terroriste, duke pasur parasysh që nuk ishte një shpërthim i vetëm ndaj biznesit të babait të ministrit Tahiri, por tre shpërthime në zona të ndryshme të kryeqytetit.

“Kishim tre shpërthime me objektiva të ndryshme dhe nuk ishte një sulm i vetëm. Për këtë arsye të tre shpërthimet po hetohen së bashku nga Prokuroria”, tha Bregu.

Avokati Visha tha se politika duhet të distancohet nga kjo çështje dhe se shpërthimet kanë lidhje me njëri-tjetrin.

“Është një kanosje serioze për terrorizëm. Kjo ngjarje nuk ka lidhje me persona fizik. Nuk ka hakmarrje ndaj babait të ministri. Këtu jemi në një çështje mjaft delikate. Kjo po hetohet nga Krimet e Rëndë, pikërisht për këtë arsye”, shprehet Saimir Visha.

“Sulmet ishin mesazhe të nisura ndaj dikujt, sesa një rrezik për jetën e dikujt”, kështu është shprehur Minxhozi, ndërsa ka kritikuar reagimin e opozitës menjëherë pas ngjarjes.

“Politika sot ka reaguar në një mënyrë të devijuar, së pari këtë e ka bërë opozita. Banorët pranë zonave të shpërthimit duhet të merrnin një mbështetje sado të vogël”, tha Minxhozi.

Alban Dudushi i drejtohet Arben Ristanit: Ju akuzojnë se ju frymëzoni krimin, ju akuzoni se mazhoranca ka lidhje me krimin…

Deputeti i Partisë Demokratike ka dënuar ngjarjen, duke e cilësuar atë si shumë të rëndë dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim për gjetjen e autorëve.

“Ishte nja ngjarje shumë e rëndë. Krimi ka goditur shtetin dhe familjen e ministrit Tahiri. Të gjithë së bashku të punojmë për të vënë përpara përgjegjësisë autorët. Por problemi qëndron te motivet. Një gjë e tillë ndodh sepse ‘shteti po lufton krimin dhe ai po përgjigjet’ thotë brace, apo krimi ndjehet i tradhëtuar nga bashkëpunimi me shtetin dhe godet se janë prishur pazaret”.

Ristani ka shtuar se krimi në asnjë rast nuk guxon të ngrejë dorë ndaj shtetit. Krimi ngre dorë vetëm në Kolumbi dhe kjo për faktin se krimi dhe shteti janë të lidhur midis tyre, ka thënë ai.  

“Babai i ministri të Brendshëm është arrestuar nga policia për kontrabandë. Ministri dyshohet se i janë vrarë shokë për feneomene të lojërave të bixhozit. Jetojmë në një vend ku aeroportet janë të mbushura me blloqe betoni për të mos lejuar avionët e drogës që të ulen. Kemi një vend ku kolonelët e ushtrisë bëjnë trafik droge. Në këto kushte, unë dyshoj që e gjithë kjo veprimtari e krimit nuk mund të kalojë pa pasur lidhje me strukturat e shtetit. Në momentin kur shteti prish pazaret, krimi godet”, shprehet Ristani.

Taulant Balla e cilësoi deklaratën e ditës së martë të Palokës si një përsëritje të asaj të 12 viteve më parë, kur një avion u qëllua mbi Lazarat.

“Deklarata e sotme e Palokës më kujtojë një deklaratë të 12 viteve më parë, kur një avion italian u qëllua në Lazarat, i cili fotografonte parcelat me kanabis. Pikërisht në atë kohë, zoti Paloka doli në emër të PD dhe mbrojti ata që kishin qëlluar avionin dhe sulmoi policinë e shtetit dhe atë italiane. Sot, ai bëri të njëjtën gjë”, tha Balla.

Për sa i përket sulmeve me tritol, Balla ka thënë se ato ishin akte të pastra terroriste. Ndërsa akuzoi opozitën për reagimin e saj pas ngjarjeve.  

“Sot ndodhi një akt i pastër terrorist. Terrorizmi është vendosja e lëndëve plasëse në ambientet publike. Siç ndodh shpesh, PD e di kush e ka bërë. U vra Azem Hajdari, Berisha tha se atë e vrau Fatos Nano. Këta mund t’i pyesësh dhe dinë gjithçka”.

Nga Partia Demokratike nuk pati asnjë akt solidariteti, të paktën me banorët e zonës, ku tritoli ishte vendosur në stacionin e autobusit, kështu është shprehur Balla për reagimin e opozitës.

Reagimi i Partisë Demokratike është kritikuar edhe nga Aristir Lumnezi, zëvendëskryeredaktor i gazetës “Panorama, i cili ka thënë se në këtë ditë duhet të ishim më të bashkuar se kurrë.

“Nuk mbaj mend që të zgjohemi me 3 shpërthime. Nëse do të ishte realizuar edhe shpërthimi i tretë në stacionin e autobusit, do të ishte e tmerrshme. Të gjithëve na shkuan ndërmend fëmijët që po shkonin në shkollë. Ne sot duhet të ishim të gjithë bashkë. Sot duhet të ishin si francezët, “Je suis Saimir” në këtë rast. Duhet t’i bëhej një bllokadë krimit. Zoti Paloka e nisi mirë pjesën e parë të deklaratës, por e prishi në të dytën”, tha Lumnezi.

Ndërsa Arion Sulo ka thënë se nuk ka asnjë provë dhe nuk mund të bëjmë asnjë lidhje mes shtetit dhe krimit.

“Krimi ndihet më i fuqishëm sepse nuk ka marrë përgjigje sot. PD ka thënë se është i përzier me shtetin. Si duhet të ndjehet një qytetar pas kësaj deklarate?”.

Zoti Minxhozi u shpreh se ky ishte momenti më i mirë i Partisë Demokratike që nëse do të kishte prova duhet t’i nxirrte ato, por ka ndodhur sërish e njëjta gjë dhe ka vazhduar me të njëjtat akuza, tha ai.

Deputeti i Partisë Socialiste ka thënë se nuk është vetëm policia përgjegjëse për ndodhjen e akteve të tilla, por edhe dy institucione të tjera, për të cilat ai tha se ato drejtohen nga persona të emëruar nga opozita e ditëve të sotme.

“Nuk është vetëm policia që ka përgjegjësinë, edhe për rastin në fjalë, të hetimit, parandalimit të rasteve të tilla, por janë edhe dy institucione të tjera. Institucioni i Prokurorisë dhe ai i Shërbimit Informativ Shtetëror. Mazhoranca drejton Ministrinë e Brendshme, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm është i emëruar nga opozita, gjithashtu edhe drejtori i Shish është i emëruar nga opozita e sotme. Dy nga tre institucionet përgjegjëse për akte të tilla terroriste drejtohen nga përfaqësues të zgjedhur nga opozita”, ka thënë Balla. 

Ai ka shtuar se sulmet e vazhdueshme të Partisë Demokratike ndaj ministrit të Brendshëm ka lidhje të drejtpërdrejtë me suksesin e pamohueshëm që ka pasur ky sektor.

Edhe në pjesën e dytë të emisionit Ristani ka vazhduar me akuza në drejtim të policisë, duke thënë se në radhë të saj ka persona, të cilët më parë janë larguar nga puna për përfshirjen në veprimtari të paligjshme. 

“Është shumë e vështirë të luftosh krimin në rast se ata që luftojnë atë janë me krimin. Ne jemi në mbështetje të plotë ndaj atyre që luftojnë krimin, por kundër elementëve të inkriminuar. Në mënyrë absolute të gjithë të larguarit nga Policia e Shtetit nga PS-ja, për pjesëmarrje në trafiqe, prostitucion, sot janë rikthyer të gjithë në punë”, tha Ristani.

Taulant Balla tha se deklaratat e ambasadës amerikane dhe BE-së dënuan sulmet, por ato bënë thirrje për të mos e politizuar çështjen.

Duke folur në lidhjen me masat që merren ndaj personave të kapur me tritol, avokati Saimir Visha tha se legjislacioni ekziston, por problemi qëndron te zbatimi i tij.

“Duhet pritur me qetësi hetimi. Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi menjëherë hetimet dhe ajo duhet lënë të bëjë punën e saj. Parlamenti shqiptar nga 2013 ka ndryshuar masat për tritolin. Tashmë ne e kemi legjislacionin, por sa të aftë jemi ne për ta zbatuar atë?”, shprehet Visha.

Balla tha se duhet një bashkëpunim më i madh për të përballuar ngjarje të tilla, të cilat janë vështirë për t’u zbardhur, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ato ndodhin.

“Është normale që duhet të merren masa që akte të tilla të mos ndodhin, por këto ndodhin edhe në vendet më të civilizuara të botës. Sinjalet e alarmit në Tiranë janë ngritur nga të gjitha organet, përveç opozitës. Ne duhet të presim dhe t’i nxisim institucionet për zbardhjen e këtij rasti. Ne kemi besim se Policia e Shtetit, me provat e mbledhura mund të çojë në identifikimin e autorëve. Por duhet të kemi parasysh që akte të tilla janë të vështira për t’u zbardhur”, tha Balla.

Minxhozi u shpreh se aksioni i Lazaratit nuk ka pasur një ndikim pozitiv për qeverinë, pasi punë për policinë është shumë më e gjerë. Lufta ndaj bandave të tritolit është një ndër më të vështirat.

“Në Shqipëri ka një problem të madh të rendit. Aksioni në Lazarat ka ardhur keq për këtë qeveri. Ajo është një arritje shumë e madhe, por rendi dhe siguria janë koncepte shumë të gjera dhe nuk mund të mbyllen vetëm me luftën ndaj narkotikeve. Unë mendoj që puna e policisë çalon te shpërthimet me tritol. Sfidat e qeverisë janë ende të vështira dhe të papërmbushura”, u shpreh Minxhozi.  

Top Channel