Parandalohet një sulm terrorist në Australi, dy të arrestuar

11/02/2015 00:00

Policia australiane arrestoi gjatë së martës dy persona në Sydney, të cilët dyshohet se kishin planifikuar të kryenin një sulm terrorist.

Të arrestuarit janë përkatësisht 24 dhe 26 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e tyre policia konfiskoi një flamur të Shtetit Islamik dhe një thikë.  

Dhjetorin e vitit të kaluar, dy persona humbën jetën, pasi një kafene me 18 persona u mor peng nga një person i armatosur, i identifikuar më pas si Man Haron Monis, i cili u vra nga policia.

Policia tha se me arrestimin e dy personave kishte arritur të parandalonte një sulm të sigurt, i cili sipas tyre do të kryhej pikërisht ditën e martë.  

“Sipas informacioneve tona dy persona kishin përgatitur një akt terrorist, i cili do të ndodhte të martën”, ka thënë zëdhënësi i policisë. Në shtëpinë e dy të ndaluarve është gjetur një video, ku paraqiteshin detaje të sulmit, i cili do të kryhej në emër të ISIS.

Autoritetet kanë thënë se nuk kanë pasur asnjë informacion të mëparshëm për lidhjet e të ndaluarve me Shtetin Islamik. Ata kanë vepruar menjëherë pas marrjes së informacionit ditën e martë.

Top Channel