Ukraina, Obama paralajmëron Putin: Kap mundësinë e paqes, përndryshe…

11/02/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama paralajmëroi homologun e tij, Vladimir Putin se Rusia do të përballet me një kosto në rritje nëse zgjedh që të vazhdojë aksionet agresive kundrejt Ukrainës.

Obama i kërkoi kreut të Kremlinit që të kapë mundësinë e krijuar nga rinisja e bisedimeve dhe të gjendjet një zgjidhje paqësore e konfliktit që zgjat që prej prillit të vitit të kaluar.

Kjo deklaratë e shefit të Shtëpisë së Bardhë bëhet pak orë para rinisjes së bisedimeve të paqes në Minsk të Bjellorusisë mes udhëheqësve europianë, Ukrainës, udhëheqësve të separatistëve pro-rusë në Lindje dhe Moskës.

Ndërkohë në terren luftimet janë përshkallëzuar. Të martën katër ushtarë dhe të paktën tetë civilë gjetën vdekjen në një sulme me raketa në zonën rezidenciale të Kramatorsku-t. Kievi tha se raketat u lëshuan nga zonat e kontrolluara nga rebelët, por këta të fundit mohuan përfshirjen në këtë sulm.

Më shumë se 5400 persona, shumë prej të cilëve civilë kanë gjetur vdekjen që nga nisja e konfliktit. Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë për dërgimin e trupave ushtarake në Lindje, por Moska mohon këto akuza.

Pritet që bisedimet që do të nisin këtë të mërkurë në Minsk të përqendrohen në arritjen e një armëpushimi, tërheqjen nga të dyja palët e armatimeve të rënda dhe krijimin e një zone çmilitarizimi.

Palët bashkohen nga mendimi për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore dhe megjithëse kërkesat e shtruara prej tyre në tavolinë kanë ndasi të thella.

Ukraina kërkon rikthimin e autoritetit të vet në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut me zotimin e një autonomie më të gjerë për to, çarmatosjen e rebelëve, tërheqjen e trupave ruse, rikthimin e kontrollit të plotë mbi vijën kufitare dhe shkëmbim të plotë të burgosurish.

Rebelët ruse nga ana tjetër kërkojnë njohjen e asaj që e quajnë “Republika Popullore e Donetskut dhe Luhanskut, jo çarmatosje dhe amnnisti për të gjithë udhëheqësit e separatistëve.

Rusia përqendrohet në kërkesën për të garantuar më shumë të drejta për rusisht-folësit në lindje të Ukrainës, autonomi të gjerë për Donetskun dhe Luhanskun në një sistem federal, jo domosdoshmërisht pavarësi, jo rikthim të Krimesë për Ukrainën dhe tërheqje të trupave ukrainase prej zonave të luftimit.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara ngulmojnë tek integriteti territorial i Ukrainës, fund ndërhyrjes së Rusisë në Lindje dhe tërheqje të trupave ruse dhe të armatimeve të rënda, një kontroll efikas të vijës kufitare mes dy vendeve, krijimin e një zone jeshile dhe demokraci të plotë për Donetskut dhe Luhanskun.

Top Channel