Shpërthimet, elemente të përbashkëta në dy prej tyre

11/02/2015 00:00

Nga hetimet e deritanishme të grupit hetimor të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë gjetur elemente të përbashkëta në dy nga tre shpërthimet që tronditën Tiranën në orët e mëngjesit të së martës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi deklaroi për mediat se në të tria rastet lloji i lëndës eksplozive të përdorur ka qenë tritol. Ai tha se në rastin e sasisë së vendosur në stacionin e autobusit pranë shkollës “Vasil Shanto” dhe në atë të farmacisë së babait të Ministrit të Brendshëm ka elementë të përbashkëta.

“Për shpërthimet e ndodhura në farmaci dhe stacionin e autobusit rezulton se ka elemente të përbashkët dhe autor mund të i njëjti person”, deklaroi Didi.

Kreu i Policisë së Shtetit tha se sasia e tritolit e përdorur në secilin shpërthim ka qenë rreth 400 gram. Ai shtoi se policia është duke kryer hetime intensive për rastet në fjalë.  

“Policia po heton me intensitet, si shoqërimi dhe pyetjet e dëshmitarëve apo personave që kanë dijeni për ngjarjet, i personave të dyshuar apo këqyrje e pamjeve të kamerave të sigurisë. Hetimet tona janë orientuar jo vetëm drejt autorëve të mundshëm të këtyre akteve, por edhe për të zbuluar se kush e armatos dorën kriminale që ngrihet kundër njerëzve, apo familjarëve të atyre që luftojnë krimin? Kush ushqen urrejten ndaj ligjit dhe institucioneve që përfaqësojnë atë? Policia e Shtetit edhe njëherë thekson se është e vendosur në luftën e saj kundër krimit, dhe sidomos kundër akteve të tilla terroriste që synojnë të ngjallin panik tek qytetarët dhe njëkohësisht garanton se do të zbulojë autorët dhe do t’i çojë ata para drejtësisë”,  deklaroi Didi.

Për Didin sulmet janë akte të pastra terroriste që nuk do të ndalin luftën kundër krimit të organizuar. Ai tha se pas tyre fshihen organizata mafioze që kanë zënë rrënjë në shoqërinë shqiptare e që po u ngushtohet dita-ditës fusha e veprimit.

“Ata janë të interesuar të krijojnë situata destabiliteti sa herë që organet e zbatimit të ligjit apo strukturat e shtetit nuk janë pjesë e lojës së tyre. Kujtoni Falkonen dhe Borselinon, por tashmë kjo nuk është më punë personash dhe mund të zgjidhet duke hequr personat. Kjo është një frymë ndërgjegjësimi për zbatimin e ligjit që po futet në polici dhe në gjithë strukturat ligjzbatuese pasi janë shqiptarët që po e kërkojnë. Vitet e kaosit për shqiptarët kanë marrë fund!”, tha kreu i Policisë.

Në fund ai ftoi qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë Policinë e Shtetit kapjen e autorëve të veprave penale.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel