USAID, ndihmë për fermerët e prekur nga përmbytjet

11/02/2015 00:00

USAID do të ofrojë 750 mijë dollarë ndihmë teknike dhe financiare për të
prekurit nga përmbytjet e ditëve të fundit në zonat bujqësore në
Shqipëri.

Pas kërkesës së Qeverisë së Shqipërisë për ndihmë, Ambasada amerikane, nëpërmjet USAID do të ofrojë këtë fond, me qëllim lehtësimin e kushteve për banorët e zonave të prekura për t’u rikthyer në gjendjen normale.

“Ne do të punojmë ngushtë me autoritetet vendore dhe organizatat joqeveritare shqiptare në përpjekjet e kapërcimit të situatës dhe do të mbështesim fermerët e prekur në industritë e frutave dhe ullinjve, si dhe ata që kanë humbur sera dhe bagëti nga ujrat e përmbytjeve. USAID udhëtoi në shumicën e zonave të prekura dhe mbajti kontakt të ngushtë me autoritetet qendrore dhe vendore dhe femerët e prekur gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë për të gjetur mënyrat më të mira për të ndihmuar.Mendimet tona janë pranë familjeve të shumta shqiptare që kanë humbur shtëpitë, fermat dhe bagëtitë si rezultat i këtyre përmbytjeve të tmerrshme dhe shpresojmë që këto ndihma do të mund të ofrojnë njëfarë mbështetjeje të shpejtë për familjet dhe do të ndihmojnë për restaurimin e disa prej zonave të prekura bujqësore”, thuhet në një deklaratë të publikuar nga ambasada amerikane.

Top Channel