“Paralizohet” kryeqyteti. Transporti urban grevë 3-orëshe

11/02/2015 00:00

Qytetarët e Tiranës që përdorin transportin urban për të shkuar në punë
apo gjetkë, nuk patën mundësi që të lëviznin me autobus nga ora 05.00
deri në 08.00, ndërsa nesër shërbimi do të ndërpritet gjatë gjithë
ditës.

Përfaqësuesit e Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, thonë se vendimi është marrë nga sindikata e shoqërive të transportit urban të Tiranës, ndërsa nesër do të ketë “paralizim” të lëvizjes me autobus gjatë gjithë ditës. Rreth 800 punonjës të transportit urban në kryeqytet kanë tre muaj pa marrë rrogën. Është pikërisht kjo arsyeja pse sot dhe nesër revolta e tyre do të përkthehet në grevë, duke ndëshkuar qytetarët që përdorin rregullisht autobusin për të kryer nevojat e tyre të përditshme.

Sipas burimeve zyrtare në Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas, mospagesa në kohë e pagave të punonjësve të transportit, njëherësh anëtarë të sindikatës që mbron interesat e tyre, lidhet direkt me mosrritjen e çmimit të biletës. Kjo, pasi sipas tyre, nëse bashkia do të miratonte rritjen e çmimit të biletës, do të konsolidoheshin të ardhurat e operatorëve, për rrjedhojë përballimi i shpenzimeve të përmuajshme do të ishte lehtësisht i mundshëm. Por, sipas përfaqësuesve të shoqatës, në rrethanat aktuale, kur bileta e autobusit shitet për vetëm 30 lekë të reja, është e pamundur të përballosh rrogat e punëtorëve, karburantin apo mirëmbajtjen e mjeteve.

“Nga sindikatat e shoqërive të transportit urban të Tiranës kemi pasur njoftim për grevë për datat 11 dhe 12 shkurt 2015. Ne jemi munduar që të mos lejojmë zhvillimin e kësaj greve, me mendimin që problemi do të merrte zgjidhje në rrugë zyrtare me organet institucionale, por nga ana e tyre nuk është pranuar, prandaj ju njoftojmë se: ditën e mërkurë, datë 11.02.2015, transporti i shërbimit urban do të ndërpritet nga ora 05:00 deri 08:00; ditën e enjte, datë 12.02.2015, nuk do të ketë shërbim të transportit urban gjithë ditën”, sqaron për “Shqip” Shoqata e Transportit Qytetas.

Top Channel