BE, program për ndalimin e rrjetit të xhihadistëve

11/02/2015 00:00

Bashkimi Europian nis me vendet arabe, të Lindjes së Mesme, por dhe të Ballkanit Perëndimor një program për të penguar rrjetet e luftëtarëve të huaj.

28 ministrat e BE-së miratuan një sërë vendimesh në dy ditë, që lidhen me zbatimin e masave kundër terrorizmit sipas versionit të pranuar nga Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë në Riga, në fund të janarit.

“Vëmendja jepet me shënjestër bashkëpunimin kundër terrorizmit me vendet e ekspozuara vulnerabël të Ballkanit Përëndimor, sikundër dhe me vende të tjera të prekura nga fenomeni i  luftëtarëve të huaj terrorist”, thuhet në konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, ndërsa theksohet nevoja për masa konkrete e plane veprimi në përpjekje për “t’u prishur mendjen” luftëtarëve të huaj, apo për “t’u prerë rrugën” atyre.

I njëjti dokument i BE-së, në kuadër të promovimit të bashkëpunimit ndërkombëtar synon nga Ballkani që të përshtasë luftën kundër “akumulimit të paligjshëm dhe trafikut të armëve të vogla dhe të lehta, si dhe të municioneve të tyre” me  “Strategjinë e BE-së së vitit 2005” dhe embargot e parashikuara në të.

Siç dihet, municione të përdorura gjatë luftës në Bosnje u gjeten pas sulmit terrorist në Paris dhe Ministri i Jashtëm belg artikuloi  qartë për mediat vendase se “Europa kërcënohet nga Ballkani”.

“Tregtia e armëve. Ne flasim shumë për praninë e armëve në terren në Libi apo Irak, por përsa i përket kërcënimeve në Europë, Ballkani mbetet shqetësimi kryesor”, thotë Didier Reynders, Ministër i Jashtëm i Belgjikës.

Për të gjurmuar “trafikun e armëve”, por dhe trajektoret e ndjekura nga “luftëtarët e huaj”, Ministri Reynders theksoi nevojën e shkëmbimit të informacionit inteligjent, që sipas tij rezultoi i suksesshëm për operacionet policore në Vervier dhe në rajonin e Brukselit, përfshirë atë pranë Parlamentit Europian, javën e kaluar.  

Belgjika po ndërmerr 12 masa shtrënguese duke rishikuar dhe mundësitë për heqjen e shtetësisë së dyfishtë për  të dyshuarit si “tradhëtarë të kombit”, ndërsa ka rritur nivelin e sigurisë në vend, sidomos për institucionet europiane. Ndërkohë, në nivel europian Parlamenti  avancon drejt miratimit të shkëmbimit të të dhënave të pasagjerëve të BE-së, kurse Këshilli po shqyrton mundësitë për të forcuar kufijtë brenda BE-së, brenda Shengenit si dhe jashtë tij.  

“Sigurisht që nevojitet forcimi i kufijve të jashtëm sepse është në interesin e të gjithëve e veçanërisht për ato vende që kanë një problem më akut se të tjerët për luftëtarët e huaj. Kjo është e qartë, prandaj mendoj se është e domosdoshme që të forcohet kontrolli për kufijtë e jashtëm. Të shpresojmë se do ia dalim me rregullat ekzistuese të Shengenit, siç ne dëshirojmë, për të mos u mbartur në negociata për rishikim të rregullave Shengen. Për ne ka dy pika delikate; Së pari, forcimi i kontrollit kufitar, sepse Shengen duhet të shërbejë, më pas, për të garantuar edhe më shumë kontrollin e sigurisë. Por, pika tjetër është se ne brenda nuk duhet të vemë në pikëpyetje parimin e  lirisë së qarkullimit në Bashkimin Europian”, deklaron Sandro Gozi, Nënsekretar i Italisë për Çështjet Europiane.

“Ne duam vërtet që të kemi kapacitetin për të disponuar informacionin. Në  të kundërt ekziston frika, dhe për mua në veçanti, ekziston frika që të hasemi me idenë e kthimit të kontrollit të brendshëm kufitar në Shengen nëse ne nuk kemi shumë shkëmbime”, thotë Ministri i Jashtëm belg, Didier Reynders.

Reynders pritet të vizitojë Shqipërinë më 16 dhe 17 Shkurt në kuadër të presidencës 6-mujore të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.  

Top Channel