Matësat inteligjentë të energjisë, projekt pilot me “Deutsche Telecom”

11/02/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama zbardhi detajet e para të projektit, që lancoi pak
javë më parë, për pajisjen e konsumatorëve me matësat inteligjentë të
energjisë.

Shefi i Qeverisë tha se kostoja e matësave nuk do paguhet nga qytetarët pasi po shqyrtohet një tjetër opsion.

“Një nga grupet më të mëdha botërore “Deutsche Telecom”, nëpërmjet grupit të vet na ka bërë një ofertë për të ndërtuar nje bashkëpunim, duke filluar me një projekt pilot, që do të jetë projekti që do të na japë mundësi të kuptojmë efektshmërinë e matësave nëdisa zona të ndryshme që janë përcaktuar nga kompania Alliasi, Bathorja, autostrada, Tregu i “5 Majit” dhe njëkohësisht duke na dhënë gjithë elementët se si do të futemi pastaj në një proces të hapur, me cfarë termash dhe me radhë”, tha Rama.

Kryeministri tha se ky investim do të jetë çlirimi përfundimtar i Shqipërisë nga një krizë që  ka mbajtur të ardhmen e vendit peng për dekada.

“Objektivi ynë është që në këtë vizion transformimi të 5 viteve në t’ia japimçdo shqiptari mundësinë që shërbimin ta ketë absolutisht serioz dhe korrekt dhe që të paguajë jo mijëra lekë më shumë se c’konsumon, por qindarkë, për qindarkë aq sa konsumon, që do të thotë rritje e jashtëzakonshme e eficencës në shfrytëzimin e këtij burimi, ulje e jashtëzakonshme e humbjeve dhe më në fund clirim i dytë i Shqipërisë”, tha Rama.

Në aktivitetin e radhës, ‘Rimëkëmbja energjetike’, drejtori i OSHEE dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik thanë se reforma dhe masat e ndërmarra po japin rezultatet e para në ringritjen e sektorit.

“Niveli i humbjeve zbriti në shifrën e 36.7 për qind. E thënë ndryshe 10.3 për qind më pak humbje, krahasuar me vitin 2014, ose 14.4 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit 2013. Në muajin e parë të vitit, ne arkëtuam 6.2 miliardë lekë. Kjo do të thotë 57 për qind më shumë arkëtime se janari i vitit 2014 dhe 128 për qind më shumë se e njëjta periudhë në vitin 2013”, tha administratori i OSHEE-së, Ardian Cela.

“Këtë vit buxheti i shtetit ka bllokuar mbi 80 milionë dollarë si fond rreziku për sektorin energjetik. Vetëm nëpërmjet këtyre muajve nëpërmjet rritjes së arkëtimit dhe thellimit të reformës në sektorin elektroenergjitik, kemi mundësi të kursejmë minimalisht 20 milionë dollarë”, tha ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

E asistuar nga Banka Botërore Qeveria ka nisur një reformë të thellë të sektorit energjetik. Por Kryeministri Rama ka kërkuar nga qytetarët që të bashkëpunojnë duke denoncuar të gjithë rastet e korrupusionit dhe abuzimet e punonjësve të kompanisë.

Top Channel