Gotze: Mos më krahasoni me Messin, Low donte të më motivonte

11/02/2015 00:00

Mario Gotze këmbëngul të mos krahasohet me Lionel Messin.

Mesfushori me tipare sulmuese i Bayern Munchen mori udhëzime nga trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, të tregonte se ishte më i mirë sesa “pleshti” argjentinas kur hyri si zëvendësues në finalen e Botërorit të Brazilit. E në të vërtetë, Gotze arriti të shënonte të vetmin gol të asaj ndeshjeje të madhe, duke i dhënë Gjermanisë edhe titullin e katërt kampion bote.

Gjithsesi, ai është shprehur për revistën sportive “Bild” se “mendoj që Low ma ka thënë atë gjë vetëm për të më motivuar. U futa në momentet e fundit të ndeshjes dhe ai thjesht gjeti fjalët e duhura për të më nxitur të jepja maksimumin në aq pak kohë”.

“Messi e ka provuar tashmë talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe nuk e ka bërë vetëm në një sezon, por përgjatë gjithë karrierës së tij me Barcelonën. Nuk është një krahasim me vend mendoj unë. Ai ka arritur shumë suksese dhe vlerësime, duke e vendosur parametrin e krahasimit shumë lart, gjë që praktikisht askush nuk mund të shkojë të kapë nivelet e tij”.

Gotze zbuloi gjithashtu se kishte dalë për të darkuar me trajnerin e Bayernit, Pep Guardiola, së fundi. “Po, darkuam në një kuzhinë aziatike, por nuk mund të them se ishte më shumë sesa një bisedë e këndshme dhe speciale, në një atmosferë të relaksuar”.

“Edhe pse ishim duke ngrënë, trajneri më foli për futbollin dhe mënyrën sesi e sheh ai këtë lojë magjike, por foli edhe për gjëra personale. Një bisedë kaq e sinqertë me trajnerin është shumë e rëndësishme për çdo lojtar”.

Top Channel