F1, Alonso: Pas tre garave të para do të vendosim objektivin

11/02/2015 00:00

Fernando Alonso ka deklaruar se problemet që McLaren-Honda ka pasur në testimet parasezonale do të bëjnë që para tre garave të para të mos jetë i qartë objektivi i kësaj skuderie.

Në një intervistë ekskluzive për Hondën, piloti spanjoll tha: “Tre garat e para do të jenë provim për ne. Do e nisim sezonin pa një objektiv të qartë. Më parë duhet të shohim se sa kompetitivë do të jemi në garat e fillimsezonit.”

Alonso shtoi se vetëm pasi të shohin rezultatet e këtyre garave, McLaren-Honda do të vendosë objektivin, i cili sipas ish-pilotit të Ferrarit mund të jetë edhe titulli kampion.

“Duam ta fitojmë kampionatin, është e qartë. Kam ardhur këtu për të fituar. Nuk e dimë nëse do e fitojmë që në sezonin e parë, në të dytin apo të tretin. Shpresoj që të ndodhë sa më shpejt”, theksoi Fernando Alonso.

Top Channel