Xi Jinping do të vizitojë Shtetet e Bashkuara në shtator

11/02/2015 00:00

Presidenti kinez Xi Jinping do të kryejë vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara në shtator, siç njoftohet këtë të mërkurë, pasi udhëheqësit e të dy vendeve shpalosën fushat e mundshme të fërkimeve përmes një telefonate.

Dy ekonomitë më të mëdha të botës janë përpjekur së fundi të çtensionojnë situatat në lidhje me shumë çështje, nga tregtia dhe të drejtat e njeriut, deri te këmbimi i akuzave për sulme kibernetike.

Presidenti amerikan Barack Obama, siç bëhet e ditur nga Shtëpia e Bardhë, ka bërë thirrje për “veprim të shpejtë” nga Kina për të ngushtuar diferencimet në lidhje me kibernetikën, teksa të dy palët kanë nisur të planifikojnë vizitën e Xi Jinping në Uashington.

Majin e vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara fajësuan 5 oficerë ushtarakë kinezë për sulme kibernetike ndaj kompanive amerikane, me synimin për të vjedhur sekrete tregtare. Kina shprehu irritimin e saj ndaj këtyre akuzave, duke anuluar një punë të përbashkët mes grupeve bilaterale të sigurisë kibernetike.

Në telefonatën me Xi, Obama tha se është i gatshëm të mirëpresë atë në Uashington për vizitën shtetërore, njoftoi Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të vonshme të së martës.

Ministria e Jashtme kineze bëri të ditur gjithashtu se Xi kishte pranuar ftesën e Obamës dhe do ta vizitonte Amerikën në shtator. Xi dhe Obama kanë pasur një takim informal në Kaliforni gjatë vitit 2013, ndërkohë që Obama kreu një vizitë shtetërore në Pekin nëntorin e vitit të kaluar.

Edhe Xi hartoi fushat e shqetësimeve të përbashkëta në telefonatën me Obamën, duke i thënë se “shpresonte që SHBA t’iu kushtojnë vëmendje shqetësimeve të Kinës për çështjet e Tajvanit dhe Tibetit, si dhe të parandalojnë vuajtjet e panevojshme të marrëdhënieve mes Kinës dhe SHBA-ve”.

Kina ka shprehur irritimin e saj në të kaluarën për shkak të shitjeve të armëve nga SHBA për Tajvanin, e cila është mëvetësuar që pas mposhtjes së forcave nacionaliste, të cilët ishin vendosur në vendin ishullor në fund të luftës civile të vitit 1949. Pekini ka lëshuar paralajmërime të vazhdueshme edhe sa i përket mbështetjes së jashtme të liderit shpirtëror tibetian, që jeton në azil, Dalai Lama, të cilin e konsideron si “përçarës” që kërkon të krijojë një Tibet të pavarur.

Top Channel