Obama: Nisëm operacion shpëtimi për Kaylan, por pa sukses. Nuk paguajmë më shpërblime

11/02/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë bërë një përpjekje riskoze, por fatkeqësisht të pasuksesshme, për të shpëtuar pengun amerikan Kayla Mueller nga militantët e Shtetit Islamik, përpara vdekjes së saj, bëri të ditur presidenti amerikan Barack Obama, mbrëmjen e së martës.

“Dislokuam një operacion të madh, me rrezikshmëri të lartë, për të shpëtuar jo vetëm atë, por edhe individë të tjerë që mbaheshin peng prej ekstremistëve islamikë, por me shumë mundësi i kemi humbur ata vetëm për çështje një ose dy ditësh”, tha Obama gjatë një interviste për CNN.

Ai shtoi se SHBA-të u kushtojnë gjithmonë “burime të jashtëzakonshme çlirimit të pengjeve, kudo në botë”.

Në komentet e para publike të tij në lidhje me Mueller, Obama tha se ishte tepër i pikëlluar kur mori vesh lajmin për vdekjen për punonjësen humanitare amerikane. Por, ai përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij kundër pagimit të ryshfetit për pengjet amerikane, edhe pse diçka e tillë mund të rezultojë kundër dëshirës së familjeve të tyre.

“Është po aq e vështirë sa shumë gjëra të tjera që bëj unë, të bisedoj me prindër, të cilët kuptohet se dëshirojnë me të gjitha mënyrat që fëmijët e tyre të jenë të sigurt”, tha Obama. “Do të bëjmë gjithçka mundemi, përveç se t’iu paguajmë shpërblim pengmarrësve të amerikanëve”.

Shtëpia e Bardhë, më herët gjatë së martës, bëri të ditur se Obama u kishte telefonuar prindërve të Mueller për t’i ngushëlluar për vdekjen e vajzës së tyre, pasi burime nga shërbimet sekrete amerikane kishin konfirmuar humbjen e jetës së saj. Zyrtarët thanë se nuk ishin të sigurt se kur dhe si humbi jetën Mueller, bazuar mbi provat fotografike të dërguara nga ISIS për familjen Mueller.

Sekretari për shtyp i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se nuk duket e besueshme që Mueller të ketë vdekur si pasojë e sulmeve ajrore të koalicionit gjatë javës së kaluar, siç pretendon ISIS, pasi provat tregojnë se nuk ka pasur civilë në afërsi të ndërtesave të vëna në shënjestër.

Top Channel