Ukraina, Cameron: Zgjidhja paqësore nuk i heq sanksionet

11/02/2015 00:00

Kryeministri britanik David Cameron u shpreh të mërkurën kundër lehtësimit të situatës së Rusisë në lidhje me konfliktin në Ukrainë, në prag të samitit 4-palësh që do të mbahet në Minsk, që synon dhënien fund të 10 muajve luftë.

“Për kontinentin tonë, Evropën, është me rëndësi që të mos e shpërblejmë agresionin dhe brutalitetin me lehtësime. Kjo do të ishte e gabuar”, deklaroi Cameron.

“Prandaj, gjëja e duhur është që sanksionet të mbeten në fuqi dhe që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të mbeten bashkë mbi këtë çështje për t’i bërë ballë presidentit Putin”, theksoi Cameron.

Liderët e Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë pritet të mbajnë këtë të mërkurë bisedimet e paqes në kryeqytetin biellorus, me shpresë për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës, që deri tani u ka marrë jetën të paktën 5.300 personave.

Fuqitë perëndimore akuzojnë Rusinë se furnizon me armë, artilieri të rëndë dhe krah ushtarak separatistët pro-rusë, por vetë qeveria në Moskë vazhdon ta mohojë një gjë të tillë.

Ashtu si Shtetet e Bashkuara, edhe Britania ka deklaruar se mund të dërgojë armë për trupat ukrainase dhe ka bërë thirrje që presioni i sanksioneve ekonomike ndaj Moskës të mbahet.

“Përsa kohë për këtë konflikt nuk ka një zgjidhje paqësore, ne nuk mund ta lëmë ushtrinë ukrainase të rrënohet”, deklaroi sekretari i Jashtëm, Philip Hammond të martën në Parlament.

Ndërsa në nëntor, duke folur në prag të samitit të G20-s, kryeministri Cameron e krahasoi Rusinë me Gjermaninë naziste.

“Është vetëm një shtet i madh që bën si i fortë me një shtet të vogël të Evropës. Ne i kemi parë pasojat e këtyre sjelljeve në të kaluarën dhe duhet të mësojmë nga historia dhe të sigurohemi që gjëra të tilla të mos përsëriten”, tha Cameron.

Top Channel