Ja videoja e shpërthimit te farmacia e Bashkim Tahirit

11/02/2015 00:00

Kjo është videoja e plotë e mënyrës së vendosjes së bombës në farmacinë e të atit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Pamjet tregojnë rrugën që është e qetë dhe pa lëvizje, por në orën 02:22 duket autori që vjen me biçikletë dhe sapo zbret prej saj fillon të aktivizojë bombën.

Ai heziton vetëm në një moment kur në rrugë kalon një automjet, duke e fshehur tritolin nën xhup.

Pas largimit të makinës, ai sigurohet që e ka aktivizuar dhe në pak sekonda e vendos mbi motorin e kondicionerit.

Personi duket i sigurt se e ka aktivizuar siç duhet bombën, çka tregon se ai nuk e ka patur për herë të parë këtë proçedurë, ose ka qenë edhe i trajnuar mirë më parë.

Menjëherë më pas ai largohet.

Ora në të cilën është vendosur bomba është 2 e 23 minuta dhe personit i janë dashur vetëm 1 minutë e 2 sekonda për të vendosur bombën nga momenti i mbërritjes deri kur largohet pasi ka vendosur tritolin.

Pas kësaj, bombëvënësi, siç dëshmojnë hetimet e prokurorisë që kanë gjurmuar sinjalin e një prej numrave të celularit, udhëton drejt rrugës “Muhamet Gjollesha” në afërsi të “21 Dhjetorit” për të vënë bombën tjetër dhe në më pak se 40 minuta largohet sërish drejt Linzës, prej ku aktivizon shpërthimet.

400 gramet e tritolit shpërthejnë fiks në 2 e 55 minuta.

Pas shpërthimit kalojnë vetëm pak çaste dhe në kamera duken banorët e pallatit aty pranë, të cilët kanë dalë nga shtëpitë e tyre të tronditur dhe të tmerruar.

Top Channel