Albano dhe Romina, rikthim vetëm në skenë?

11/02/2015 00:00

Janë çifti më i dashur i muzikës italiane. Albano Carrisi dhe Romina Poëer janë rikthyer në Sanremo pas 24 vitesh dhe i kanë bërë fansat të ëndërrojnë. Një rikthim që koincidon edhe me 50-vjetorin e takimit të tyre të parë.

Romina ishte vetëm 15 vjeç kur takoi Albanon, në xhirimet e filmit “Në diell”. Nga filmi në jetën reale, kalimi u bë shumë shpejt. Në vitin 1970, pavarësisht kundërshtimeve të familjeve përkatëse, të rinjtë martohen e me kalimin e viteve bëhen prindër të 4 fëmijëve.

E tyrja nisi jo vetëm si lidhje dashurie. Në atë kohë, Albano ishte këngëtar i afirmuar, ndërsa ajo një e re premtuese në rrugën e muzikës. Fillojnë të bashkëpunojnë dhe themelojnë shtëpinë e tyre diskografike.

Triumfojnë bashkë në Sanremon e ’82-shit me këngën “Felicita”, e më pas me “Ci sara” ata u bënë çifti më i dashur jo vetëm në Itali, por në të gjithë botën. Në Sanremo kthehen shumë herë të tjera bashkë, në ’87-n, ’89-n, ’91-shin, gjithmonë në krye të klasifikimeve. Por një tragjedi në familje ndryshon krejtësisht rrjedhën e jetës së tyre.

Pikërisht në dhjetor të vitit 1993, Ylenia, vajza e parë e Albanos dhe Rominës, zhduket në mënyrë të mistershme në Neë Orleans. 20-vjeçarja ishte nisur prej disa muajsh në një udhëtim e vetme rreth botës. U ngritën hetime, hipoteza, dëshmi të shumta, por s’pati kurrë lajme nga Ylenia, zhdukja e së cilës solli largimin e vazhdueshëm mes çiftit simbol të martesës. Pas 29 vitesh bashkë, ata ndahen zyrtarisht në vitin 1999.

Romina tërhiqet pothuaj krejtësisht nga jeta artistike. Kthehet të jetojë në Shtetet e Bashkuara edhe për t’iu gjetur së ëmës, të sëmurë rëndë, dhe daljet e saj në media janë krejt sporadike.

Ndërsa Albano kthehet në 1996-n në Sanremo, edhe pse jo me suksesin kur ishte bashkë me Rominën. Në vitin 2001 zbulohet dashuria sekrete e tij me “shoëgirl”-in Loredana Lecciso, bashkëjetesa me të cilën e bën baba të dy fëmijëve. Në këto 14 vite bashkë, në media është folur shpesh për krizat e tyre në çift. Dhe së fundmi, si shkak është përfolur edhe riafrimi me Rominën, me të cilën pati një ribashkim artistik në Moskë 2 vite më parë. Por vetë Loredana e ka përgënjeshtruar këtë alternativë.

Albano dhe Romina dhanë 3 koncerte bashkë dedikuar muzikës italiane në Moskë. Më pas me “Turin e ribashkimit 2014 të Albanos dhe Rominës”, ata udhëtuan në Kanada e Shtetet e Bashkuara.

Rikthimi në skenën e Aristonit mbrëmjen e së martës, në natën e parë të Sanremos, është një aventurë kurajoze që na bën të pyesim: A do të jetë një fillim i ri për çiftin e muzikës italiane?

Top Channel