Përgjimet, Ahmeti e Thaçi: Hetim me asistencë ndërkombëtare

11/02/2015 00:00

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të përfshihet drejtpërdrejt në menaxhimin e aferës së përgjimeve, në mënyrë që të garantohet integriteti i procesit dhe të fitohet besueshmëria nga të gjitha palët e përfshira.

Kreu i partisë shqiptare në qeverinë maqedonase këtë kërkesë e shpalosi të mërkurën, gjatë një takimi me ambasadorin e BE-së në Shkup, Aivo Orav.

Duke komentuar pretendimet e opozitës se ka qenë i përgjuar nga partneri maqedonas i koalicionit qeveritar, Ahmeti tha se nuk ndihet i tradhtuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, pasi sipas tij, afera të ngjashme kanë ndodhur edhe në vende të tjera.

“Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka kurrëfarë shqetësimi mbi ndonjë zhvillim të brendshëm, ndaj kërkojmë që e vërteta të dalë në shesh. Por, ajo e vërtetë që do të dalë të jetë e pranueshme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë; edhe për viktimat edhe për ata që kanë shkaktuar dëme”, deklaroi Ahmeti.

Lidhur me aferën e përgjimeve ambasadori i Bashkimit Evropian, Orav bisedoi edhe me liderin e opozitës shqiptare, Menduh Thaçi. Ky i fundit i shpjegoi diplomatit se, liderët e PDSH-së që prej vitit 1993 kanë qenë të ndjekur e të përgjuar dhe se asnjë individ për këto përgjime nuk ka dalë para drejtësisë.

Në këtë takim, Thaçi theksoi se, e vetmja shpresë që raste të këtilla të mos përsëriten është ngritja e një gjyqi special me vëzhgimin dhe asistimin e plotë ndërkombëtar, ku do të përfshiheshin të gjitha rastet që nga viti ‘93.

Kreu i PDSH-së siguroi ambasadorin se, gjatë këtij procesi tejet delikat partia e tij do të vazhdojë me politikën e saj konstruktive dhe të përgjegjshme dhe nuk do të bëhet pre e aventurave të mundshme që do të dëmtonin demokracinë dhe perspektivën euro-atlantike të vendit.

Top Channel