Banorët e fshatrave pranë Uzinës së Ballshit buzë vdekjes, përgjegjësia “jetime”

11/02/2015 00:00

Ata zgjohen çdo mëngjes me ajrin e ndotur që del nga uzina shumëvjeçare e përpunimit të naftës në Ballsh. Prej shumë kohësh bashkëjetojnë me ndotjen, sëmundjet e panumërta dhe skamjen. Ditët e tyre nisin e përfundojnë njësoj. Lavdani është më i afërti me rafinerinë e përpunimit të naftës.

Shtëpia e Lirjana Bajramajt gjendet pak metra larg uzinës. Pas vdekjes së të shoqit nga kanceri, ajo u zhvendos në këtë banesë 5 vite më parë, kohë gjatë së cilës humbi edhe djalin adoleshent. Pavarësisht halleve të shumta që i kanë rënë, Lirjana vuan nga shumë sëmundje, për të cilat bën fajtore ndotjen.

“Jam me zemër, tension, kam probleme me veshkën, ndërsa e kam hequr njërën. Këtu ke lloj-lloj ndotjesh”, shprehet Lirjana.

Familja Skënderaj jeton gjithashtu pranë uzinës. Era fryn drejt shtëpisë së tyre të gjithë tymrat, që dalin prej saj gjatë ditës. Vitore Skënderaj ka një dosje të stërmadhe mjekësore, nga analizat e bëra gjatë të gjithë këtyre viteve. Prej kohësh, gjendja e saj shëndetësore është e rënduar.

“Kam që në vitin 2001 e sëmurë nga zemra. U shtrova në spital, në Senatorium, me ujë në zemër. Kaluan vite dhe u sëmura përsëri, nga 2011 e deri më sot. U operova në Greqi, ku kam hequr thuajse të gjithë stomakun, kam vetëm një pjesë të vogël”, thotë Vitorja.

Nevria, kryefamiliarja, nuk e ka mirëpritur kurrë vendimin e nipërve të saj për të rindërtuar e për të investuar paratë në shtëpinë e Lavdanit.

“Sa herë i kam thënë djalit, ç’ke bërë që i ke hedhur lekët në kënetë dhe pranë gazit të uzinës. Për fëmijët e tij, jo për mua”, thotë Nevrija.

Edhe fëmijët e vuajnë ndotjen e Ballshit. “Kur ngrihem në mëngjes më dhemb koka”, thotë Elisabeta Skënderaj.

Për Mynavere dhe Qazime Çakajn, era dhe ndotja janë bërë të padurueshme. Kunatat kanë shumë probleme shëndetësore, por shqetësimi i tyre më i madh janë fëmijët.

“Mirë ne pleqtë se jetuam si jetuam, por kemi problem fëmijët që na ngelën spitaleve nga Ballshi deri në Fier. Unë jam e operuar nga zemra dhe përveç ilaçeve të saj, marr edhe shumë të tjera për frymëmarrjen etj. Ne jemi të mbytur”, thotë Mynaverja.

“Fëmijët vuajnë më shumë, që kur ngrihen në mëngjes ankohen për dhimbje koke dhe probleme të tjera. Nuk e kemi vetëm ne të këtij fshati këtë problem, pasi gazi na ka pushtuar hundët dhe fytin në të gjithë këtë zonë”, thotë Qazimja.

Shpëtim Skënderi është një tjetër banor i sëmurë i Lavdanit. Bashkëshortja e tij po ashtu. Prej disa muajsh edhe djali Paulo ka zënë shtratin pas një incidenti.

“Jemi të gjithë si fshat për t’u shtruar në spital. Vuajmë nga astma, nga dhimbjet e kokës, bllokimi i frymëmarrjes, aq keq sa s’po na ikën edhe kujtesa. Por s’kemi lekë as për të blerë ilaçe”, thotë Shpëtimi.

Engjëllushja, e zonja e shtëpisë, vuan prej vitesh nga astma. Prania e karbonit në gjak i heq asaj çdo fuqi. Sot ka mundur vetëm të zërë brumin për bukën, të cilën e përgatit vetë në pamundësi për ta blerë.

“Ngrihen në mëngjes dhe kokën e kam të rënduar. S’kam fuqi as të ulem të bëj punët, të cilat vjen e m’i bën kunata. 10 mijë lekë ilaçe e kam shkresën aty, por nuk marr dot asnjë”, thotë Engjëllushja.

Kujtim Bejdaj, mjek i kësaj zone prej 36 vitesh, thotë se kohët e fundit janë shtuar rastet me kancer.

“Shkak i kësaj gjendjeje është ndotja që vjen nga uzina e përpunimit të naftës, sepse nga sa kemi marrë vesh dhe kemi dëgjuar, impiantet e pastrimit dhe të detoksikimit të lëndëve toksike që çlirohen nga uzina nuk ekzistojnë, jo në lartësinë e duhur, por fare. Niveli i lartë i karbonit shkakton shumë sëmundje, kryesisht ato të sistemit kardiovaskular, të sistemit respirator, por edhe çrregullime të shumta të sistemit nervor dhe neuromuskular. Në të njëjtën kohë edhe sëmundjet e kancerit janë shtuar së tepërmi kohët e fundit, njoh shumë pacientë që kanë humbur jetën si rezultat i këtyre sëmundjeve”, tregon mjeku Kujtim Bejdaj.

Fshati Panahor shtrihet përbri uzinës. Përveç problemeve të rënduara shëndetësore, banorët vuajnë edhe papunësinë.

“Vijnë të tjerë nga Fieri dhe Berati dhe punësohen këtu. Ne kemi tokën aty, ambienti po na shkatërrohet dhe në fund jemi edhe të papunë. Janë 3-4 fshatra që pësojnë ndotje të ambientit, por askush nuk kujtohet t’i marrë në punë të paktën”, thotë djali i Vezires.

48-vjeçarja Vezire Hyseni, banore e fshatit, është e revoltuar për situaten në të cilën ndodhet ajo dhe familja e saj.

“Kam qenë e shtruar në spitalin e Fierit për 15 ditë, më pas në Tiranë për 2 muaj e prej andej u nisa për në Greqi, ku qëndrova për 2 muaj. Kam pasur trashje gjaku. Ja shikojeni tymin, më vjen nga të katër anët, edhe pse mbyll dyer e dritare po helmohemi dita-ditës”, thotë Vezirja.

Ajo ka edhe një mesazh për të dhënë.

“I lutemi Qeverisë të na largojë nga ky fshat këtu të gjithëve, sepse po helmohemi nga uzina. Ose të na zhdukë neve të tërë si njerëz, ose të zhduket uzina, sepse po vdesim këtu”.

Top Channel