Kosovë-Serbi, zbardhet marrëveshja e drejtësisë

11/02/2015 00:00

Megjithë pretendimet e palës serbe për të krijuar gjykatë e prokurori të veçantë për komunat veriore, kjo nuk është arritur dhe për këtë autoritetet kosovare ndihen krenare.

Në një konferencë për shtyp, ekipi që kishte qenë pjesë e bisedimeve, i përbërë nga kryeprokurori, ministri i Drejtësisë, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Gjykatës së Apelit dhë ish-kryeprokurori thanë se marrëveshja ruan sistemin unik të drejtësisë në Kosovë dhe zbatohet sipas ligjeve të Kosovës.

“Qëllimi i parë ishte ruajtja e sistemit unik të drejtësisë në Kosovë; i dyti, që gjykatat dhe gjyqtarët në atë pjesë të territorit të zbatojnë ligjet e aplikueshme të Kosovës; i treti, që të respektohet hierarkia e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Kosovës sa i takon propozimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe roli i presidentes në dekretimin e tyre; i katërti, që çdo zgjidhje në këtë marrëveshje të arrihet brenda ligjeve dhe kushtetutës sonë dhe në këtë aspekt ne garantojmë se asnjë ligj i vendit dhe asnjë nen i Kushtetutës nuk ka nevojë të ndryshohet; dhe i pesti që ka të bëjë me integrimit e asaj pjese të veriut, që ka të bëjë me ata njerëz që kanë punuar në gjykatat dhe prokuroritë paralele”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Në marrëveshje thuhet se do të ketë një gjykatë themelore dhe një zyrë të prokurorisë themelore për rajonin e Mitrovicës. Rajoni përfshin katër komunat veriore, Mitrovicën Jugore, Vushtrirnë dhe Skënderajn.

Gjyqtarët shqiptarë dhe ata serbë do të punojnë bashkarisht, ndërsa për shkaqe infrastrukturore gjykata themelore do të funksionojë në katër degë, në Zubin Potok, Leposaviç, Skënderaj dhe Vushtrri.

Kompromisi që Kosova ka bërë është numri i gjykaësve serbë që në secilin rast është i barabartë me atë të shqiptarëve, ose më i lartë. Kryetari i gjykatës themelore do të jetë serbë, ndërsa njësiti i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë do të përbëhet nga 5 gjyqtarë serbë dhe dy shqiptarë.

“Jemi marrë vesh që selia e gjykatës do të jetë në Mitrovicë, aty ku ka qenë përherë, por do të ketë edhe një degë në pjesën jugore. Ndërsa prokuroria do të jetë në Lagjen e Boshnjakëve”, deklaroi kryeprokurori Sylë Hoxha.

“U bë një luftë e madhe, që të mos prekej sistemi unik gjyqësor dhe prokurorial, pasi ka pasur tendencë për të themeluar gjykata të reja. Sa për numrat, ata janë relativë dhe nuk paraqesin ndonjë pjesë të madhe në terma të përgjithshëm, pasi gjyqtarët dhe prokurorët do t’u nënshtrohen të gjitha dispozitave ligjore të parashikuara”, deklaroi Enver Peçi, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Veriu, që nga shpallja e pavarësisë, ka funksionuar me një gjykatë paralele e cila nuk i ka përfillur ligjet e Kosovës. Tani pritet që gjyqtarët serbë t’i nënshtrohen procesit të ri të përzgjedhjes sipas rregullave të shtetit të Kosovës.

Sa i përket zbatimit, autoritetet kosovare shprehen të gatshme të fillojnë që sot zbatimin, por janë në pritje të hapave konkrete nga pala serbe.

Top Channel