Në mars nis stërvitja e forcave ukrainase nga ushtria amerikane

11/02/2015 00:00

Komandanti i ushtrisë amerikane për Europën, Ben Hodges, bëri të ditur gjatë së mërkurës forcat amerikane do të angazhohen me stërvitjen e trupave ukrainase, që luftojnë kundër separatistëve të mbështetur nga Moska, në lindje të vendit.

Misioni stërvitor do të nisë në mars, me një batalion ushtarësh amerikan që do të stërvisin 3 batalione ushtarësh ukrainas, tha Hodges gjatë vizitës së tij në një bazë të NATO-s në Szczecin (Shçecin), në veriperëndim të Polonisë.

“Do t’i stërvisim ata në lidhje me çështje të sigurisë, mjekësisë, si të operojnë në një mjedis ku rusët janë duke kufizuar komunikimin, por edhe sesi të mbrojnë vetëveten nga artileritë e rebelëve prorusë”, tha ai.

Ndërkohë, një grup studimi “think-tank” mbi sigurinë globale, deklaroi të mërkurën se vendimi i Perëndimit për të dërguar armë në Ukrainë do të nxisë një përshkallëzim të shpejtë të mbështetjes ruse ndaj separatistëve, që luftojnë ndaj forcave qeveritare në lindje të vendit.

Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) bëri të ditur gjithashtu se lloji hibrid i luftës që Rusia po zhvillon në Ukrainë përfaqëson një “kërcënim të rëndë” ndaj NATO-s, pasi aleanca ushtarake është e papërgatitur për t’u përballur me të.

Anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan kanë thënë gjatë kësaj jave se janë duke përgatitur legjislacionin për të dërguar armë në Ukrainë, diçka për të cilën kanë ushtruar presion shumë prej ligjvënësve.

Por, kjo do të nxiste nga ana tjetër Moskën, që mohon përfshirjen e saj në konfliktin ku kanë mbetur mbi 5 mijë viktima, të deklarojë hapur furnizimin me armë ndaj rebelëve, tha Ben Barry, analist i IISS dhe ish-oficer i lartë i ushtrisë britanike.

Top Channel