Atentatet me eksploziv, dyshime për tritolin e ushtrisë?

11/02/2015 00:00
Foto ilustruese

Tre ngjarjet e fundit me tritol në kryeqytet, ku në dy prej tyre objekt ishin familjarë të ministrit të Brendshëm dhe në të tretin një efektiv policie, veç identifikimit të autorëve kanë vënë në lëvizje strukturat e shtetit për identifikimin e prejardhjes së lëndës plasëse.

Në një valë shpërthimesh dhe atentatesh të ndryshme të ndodhura gjatë viteve të fundit është përdorur kryesisht lënda eksplozive plastike C4, e cila në pjesën më të madhe të saj vjen nga jashtë.

Ndërsa në tre rastet e fundit dhe në një sërë ngjarjesh të ndodhura në rrethin e Krujës është përdodurur eksploziv i llojit tritol, i cili gjendet në masë të madhe në vendin tonë, kryesisht në depot e ushtrisë por edhe në gurore.

Nga të dhënat e para hetimore lidhur me tre ngjarjet e ndodhura orët e para të së martës në Tiranë rezulton se eksplozivi i përdorur është tritol i prodhimit vendas.

Dyshimet se tritoli mund të ketë origjinën nga zona e Krujës përforcohen dhe nga një ngjarje e regjistruar në muajin nëntor të vitit 2014, kur pas kontrolleve të kryera në magazinat e ushtrisë në fshatin Noje të Krujës, prokuroria zbuloi se mungonin 12 mijë kallëpe tritoli 200-gramësh, ose ndryshe, 2.400 kg tritol, sasi e cila përllogaritet të kushtojë 200 milionë lekë.

Për këtë ngjarje u arrestua Adem Hasani, me gradë tetar dhe me funksion përgjegjës i magazinat e armatimit në fshat, mbi të cilin u ngritën akuzat e vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrës.

Hetimi për këtë ngjarje ka nisur rreth muajit tetor të 2014-s, pas disa iformacioneve se lënda plasëse, e përdorur kryesisht në shpërthimet e shumta të ndodhura në Krujë, vinte nga magazinat ushtarake në fshatin Noja, e pas kësaj prokuroria ka kërkuar nga Policia Ushtarake kryerjen e një invetarizimi në këtë magazinë, e pas kësaj është konstatuar mungesa e 2.400 kg tritol dhe municione të tjera ushtarake.

Lidhur me këtë zhdukje misterioze të tritolit nga depot e ushtrisë, në muajin dhjetor është arrestuar dhe një ushtar profesionist në Krujë, Lulëzim Mesi, të cilit i janë gjetur rreth 20 kg tritol që dyshohet se i përkiste depove të fshatit Noje në Krujë.

Ai ka pranuar përpara gjykatës se kishte shitur eksploziv në shuma që varionin deri në 400 euro për një kallëp tritol. Por këto nuk janë të vetmet raste kur oficerë të Forcave të Armatosura përfshihen në vjedhjen e më pas shitjen e lëndëve eksplozive.

Në nëntor 2014, Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim çështjen në ngarkim të 4 personave, mes tyre një oficer me gradë kapiten, një efektiv në Ministrinë e Mbrojtjes me profesion xhenier dhe një nënkomandant të batalionit të armatimit dhe municionit, të cilët sipas organit të akuzës kanë vjedhur dhe një sasi prej rreth 97 kg C4 që përdorej nga INUK për shembjen e ndërtimeve, duke e shtitur atë me çmimin prej 2.000 lekë për kilogram.

Duket se gjithë kjo sasi tritoli, për të cilën deri më tani dihet se është vetëm 2.400 kg, por që Ministria e Mbrojtjes ende nuk ka të dhëna nga depo të tjera të ngjashme, ka rënë në duart e grupeve të rrezikshme kriminale, të cilat nuk kanë hezituar ta përdorin atë në ngjarje të rënda që kanë tronditur gjithë vendin.

Top Channel